“E kam shkruar që firmosja e Camajt me Sigurimin e Shtetit nuk është ndonjë mëkat, se ka qenë i ri. Por ajo që shohim është deponimi i tij, që bën me faj aktivitetin antiqeveritar, mësuesit e tij të seminarit jezuit, që i quan krerët e këtij aktiviteti antikomunist të kohës, në dosjen e tij nuk ka dokumente që ai të ketë pasur bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit”.
Ky është konluzioni i Auron Tares, pasi rreket t’a paraqesë Martin Camajn si bashkëpunëtor “në tentativë” të Sigurimit të Shtetit. Pak a shumë, “studimit” të tij të botuar në një blog dhe të rimarrë nga shumë portale, vetë autori Auron Tare i vë një X (kryq) të madh pavlefshmërie.
Edhe mendja më profane, pas një pohimi të tillë të vetë autorit, me të drejtë mund ti sillet në mendje një pyetje: Po atëherë, pse “lodhet” Auron Tare t’a bëjë një studim të tillë e aq më pak, ta bëjë publik? Pse pikërisht në këtë moment?
Aksioma “asgjë nuk ndodh rastësisht, asnjëherë”, është përgjigja më e mirë. E po të njohësh qoftë edhe përciptas historinë e Shqipërisë, sidomos të Veriut (kur përdorim këtë term, në mbarë botën shqipfolëse në mendje vjen së pari Shkodra, më pas Lezha, Mirdita, Malësia e Madhe) e gjen përgjigjen.
Ky vend nga 1944 është udhëhequr nga dhe në favor të pjesës tjetër të vendit. Nëse doni, edhe pse mund të më cilësoni “lokalist” apo “krahinarist” (mos o Zot, “seçesionist”), po e klasifikojnë gjeografikisht nga Tirana e poshtë.
Faktet janë kokëforta. 45 vitet e komunizmit nuk kanë nevojë për asnjë koment. Nuk po flas për persekucionin e pashembullt krahasuar me numrin e banorëve apo edhe sipërfaqen por edhe për “kuadrot” udhëheqës që PPSH katapultonte në krye. Niseni nga kupola më e lartë- Byroja Politike, vazhdoni me Komitetin Qendror e vazhdoni me qeveritë e ministritë. Pjesa dërrmuese e tyre vinin nga hapësira që citova më lart, ndërsa më herët është përmendur edhe si “Zona e Parë Operative”. Sepse Veriu nuk kishte “kuadro” të aftë për të tilla pozicione “të rëndësishme” për fatet e “Partisë dhe Atdheut”.
Fatkeqësia ishte se edhe në 30 vitet e fundit, pavarësisht disa përpjekjeve bazuar në këmbëngulje individuale e simpative personale, “rregulli nuk u prish”. Edhe pse e djathta e kishte dhe e ka bastion Veriun, investimet madhore dhe zhvillimi në tërësi, kishin dhe kanë si prioritet hapësirën nga Tirana e poshtë. Për PS-në e dikurshme apo edhe Rilindjen aktuale, nuk po flasim sepse edhe ideologjikisht, Veriun e kanë patur kundërshtar.
Faktet kokëforta tregojnë se pas vitit 1939, kur monarkia me origjinë veriore e Shqipërisë ra për të mos u ringritur kurrë më, ndaj kësaj treve pati nënvleftësim, përçmim, linçim e deri në kryqëzata. Të gjitha fizike por edhe më të rënda, siç ishte Kongresi i vitit 1972 që ngriti kultin e toskërishtes në gjuhë standarde shqipe e fundosi gegnishten, edhe pse flitej e flitet nga pjesa më e madhe shqiptarëve kudo ku janë. Fakti që në 1990-ën, vetëm 18 vite pas atij kongresi famëkeq e deri në ditët tona, askush nuk guxoi jo ta ndryshojë por të përfshijë edhe gegnishten me të drejta të barabarta, vërteton se Veriu vazhdon të jetë “i dorës së dytë”. Mijëra vite histori e ekzistencës së shqipes, u sfumuan deri në nëpërkëmbje nga 18 vite “traditë” e gjuhës standarte.
Historia ka treguar se përgjithësisht, veriu i një vendi është më i pasur se jugu i tij. Në rastin më të mirë, ecin paralel. Në këtë vend, përmbysja është e qartë dhe kjo vazhdon që nga 1944-a.
Atëherë, pse duhet të habitemi nga emisari i rradhës që vihet në ballë të kryqëzatës mbi 76 vjeçare kundër Veriut? Pse duhet të shprehim çudi që kollosë si Fishta, Camaj, Koliqi etj., vazhdojnë të trajtohen edhe sot si “të deklasuar”, “reaksionarë” të regjimit? Mos harroni edhe diçka tjetër, mjaft të rëndësishme. Me tentativën për implikim të individëve të shquar si Camaj e Koliqi si bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, synohet edhe njollosja e krejt Veriut si bashkëpunëtor me regjimin diktatorial. Kur kanë bashkëpunuar këto inteketualë, si mund të mos kenë bashkëpunuar punëtorë e fshatarë në Veri?! Kjo nuk është thjeshtë djallëzore, por skemë që po zbatohet me fanazitëm që nga 1944-a. Ndoshta duket se nuk ka shumë lidhje, por për pak muaj në këtë vend do të ketë zgjedhje. Mund ta interpretoni si të dëshironi këtë rresht. /Nga Blerti DELIJA/