LETËR EDI RAMËS – “Ju nuk keni ideale, ju nuk jeni as i majtë e aq më tepër socialist…, dil hapur, bëhu burrë”

I dashur Edi!

Shqipëria e tranzicionit i përngjan së tepërmi mënyrës së qeverisjes së republikave dhe mbretërive të vogla të Evropës të shekullit tim XVIII.Një mozaik i vërtetë i mënyrave të qeverisjes.


Një formë ndërmjetëse mes demokracisë dhe monarkisë, sepse nëse oligarkia politike dhe financiare është e lirë, populli është i nënshtruar.Një “demokraci totalitare e zbatuar në mënyrë monarkike” Pushteti sovran është në duart e një numri të caktuar njerëzish.

Ata formulojnë ligjet dhe i venë në zbatim. Pjesa tjetër e popullit është nën kujdesin e këtyre “mbretërve e princërve” të vegjël, ashtu si në monarki, ku subjektet janë nën kujdesin e monarkut.Ju morët përsipër për ta ndryshuar këtë mënyrë qeverisje. Në mandatin e parë u justifikove se kishe timonin me dy shoferë.

Në mandatin e dytë më kujtohet fushata jote elektorale kur i luteshe Sovranit për të patur timonin i vetëm. Dhe lutjet e tua u pranuan nga Sovrani.Sovrani të besoi jo çfarë kishe bërë, por çfarë do të bëje. Çlirimi nga koalicioni dhe përvoja e fituar do të favorizonin për të bërë realitet shtetin e së drejtës dhe të barazisë sociale në një demokraci funksionale. Sfidë jashtëzakonisht e vështirë!

Barrë e rëndë! Përgjegjësi publike e madhe!Juve ju mungon edhe kuptimi i thelbit të çështjeve dhe procedurat. Juve ju mungojnë edhe parimet edhe idealet. Në qeverisje ju mungon edhe kultura edhe aftësia menaxhuese e ministrave dhe jo vetëm e tyre por edhe e gjithë hierarkisë së çdo dikasteri.

Parimet janë forca morale e karakterit të një lideri të përgjegjshëm dhe vizionar, për të drejtuar me ide dhe ekip me njerëz të zgjedhur që të kenë logjikë dhe përkushtueshmëri. Ju nuk keni as liderë as politikanë seriozë e të përgjegjshëm. Është kjo arsyeja që asnjë prej jush deri më tani nuk ka ofruar vizion, projekt apo qëndresë për ta ndalur rrjedhjen e lirë të shoqërisë tuaj.

Retorika, vetëkënaqësia, cinizmi dhe deri tek nekrofilia kanë mbizotëruar më shumë se kurrë tek të gjithë ju. Ajo që ju bashkon juve të gjithëve politikanë të rastësishëm e aksidentalë është narcizmi, vetëkënaqësia, vetëpëlqim që dini gjithçka e flisni për gjithçka dhe jeni vetëm ju që duhet t’i vini vulën e fundit.Sepse ju mungon fisnikëria, humanizmi, ndershmëria, dinjiteti, patriotizmi, komunikimi njerëzor, etika qytetare e mbi të gjitha dashuria për njerëzit dhe vendin, vizioni për të ardhmen, devotshmëria për të drejtën dhe morali për të jetuar me nder dhe dinjitet.

I dashur Edi!

Nuk mund të ketë më asnjë virtyt për Republikën nëse pasurimi çon në shpërbërjen morale të shoqërisë. Kam parë se si lindi papritur një etje e pangopur për pasuri. Kam parë se si për një çast hodhi rrënjë një mani e urryer për tu pasuruar, jo nëpërmjet punës së ndershme dhe një prodhimtarie të bollshme, por nëpërmjet shkatërrimit të sovranit, të shtetit, dhe të qytetarëve.

A nuk ka ndodhur e njëjta gjë gjatë tranzicionit në vendin tënd? Gjykoj të domosdoshëm një pasurim të ligjshëm dhe të arsyeshëm dhe ndërkaq dua gjithashtu që një njeri që fillon nga zeroja të ruajë modestinë dhe humanizmin, ndërsa pasurohet.

E pranoj se kam shumë sedër për të uruar që fëmijët e mi të grumbullojnë një ditë një pasuri… por në këtë rast do të kishin nevojë të mishëronin të gjitha virtytet për të ma pohuar, ndryshe Unë do të bëhesha pengesa e përjetshme e miklimit

Njëzetë herë në ditë kujtimi im do të ishte i urryer dhe hija ime fatkeqe do të torturonte pa pushim të gjallët. Varri im do të kthehej në monumentin e neverisë së tyre. Nuk mund të ketë më asnjë virtyt për Republikën, nëse nuk e njeh mirë popullin tënd. Nëse nuk njeh shpirtin, zakonet, problemet dhe hallet e tij

Me turin “Bashkëqeverisje me popullin”, të jepet mundësia të njihesh me problemet dhe hallet e popullit, me sjelljen dhe menaxhimin e tij prej pushtetarëve lokalë dhe qendrorë, me shërbimet ndaj tij prej zyrave të shtetit dhe institucioneve të tjera arsimore, shëndetësore e shoqërore. A sillen ata si shërbëtorë të popullit apo si mbretër e princër të vegjël? Drejtojnë në mënyrë demokratike apo despotike?

Vetëm duke u munduar të mësosh njerëzit, mund të praktikosh atë virtyt të përgjithshëm që e quajmë dashuri për gjithçka

Njeriu, kjo qenie fleksibël, ndërsa përulet në shoqëri përballë ideve, mendimeve e përshtypjeve të të tjerëve, është njëlloj i zoti të njohë natyrën e tij atëherë kur ia tregojnë dhe ta humbasë përjetësisht, atëherë kur ia fshehin. Në qoftë se do të vuash nga ajo që do të shohësh dhe do të shprehësh atë që do të ndjesh, me një rregull më të qëndrueshëm, të bazuar në drejtësinë dhe natyrën, atëherë do të thotë që ke plotësuar kërkesën kryesore të zemrës dhe arsyes.

I dashur Edi!

Në këtë rast drejtësia duhet të jetë e ndriçuar, të jetë e shpejtë dhe universale. Me reformën në drejtësi duhet ti jepet fund padrejtësive dhe anësive të të fortëve, ku i gjykuari popull i gjendur midis avokatit dhe prokurorit është çorientuar dhe shpesh edhe çnderuar.

Kësisoj Vettingu duhet të jetë gjithëpërfshirës, jo vetëm për gjykatësit dhe prokurorët, politikanët dhe pushtetarët, por edhe për të gjithë ata individë të cilët nuk e dokumentojnë dot pasurimin e tyre. Pastrimi nga korrupsioni i individëve të infektuar kudo qofshin është jetike për funksionimin e demokracisë dhe rikthimit të dinjitetit qytetarëve të ndershëm të vendit tënd.

Do të ndihesha njeriu më i lumtur në botë, nëse do të bëje të mundur që qeverisja jote të kishte disa arsye më shumë për të respektuar përgjegjësitë, sovranin, atdheun, ligjet, duke bërë kështu që të ndihej më shumë lumturia në vendin tuaj të bukur dhe të pasur. Do të isha njeriu më i lumtur mes gjithë njerëzve, nëse do të bëje të mundur që ata që komandojnë të zgjeronin njohuritë e tyre në bazë të të cilave veprojnë çdo ditë, dhe ata që të bindeshin të gjenin një kënaqësi të re tek bindja.

Për të krijuar një qeverisje të moderuar, duhen kombinuar pushtetet, të rregullohen, të zbuten të vihen në lëvizje; të arrish siç thuhet një balancë: njëri të vihet në pozitën që ti rezistojë tjetrit. Kjo është kryevepra e legjislacionit, që më shumë lihet në dorë të rastësisë dhe shumë rrallë në dorë të përkujdesjes.

I dashur Edi!

Nuk mund të ketë më asnjë virtyt për Republikën, nëse nuk do të keni respekt për më të vjetrit, për luftën e tyre, për bijtë dhe bijat që janë sakrifikuar në këtë luftë dhe vlerat e krijuara prej këtij brezi gjatë 50 vjetëve.Sepse, atëherë nuk do të ketë më respekt as për baballarët; bashkëshortët nuk meritojnë më të respektohen dhe as mësuesve nuk duhet tu nënshtrohemi

Të gjithë njerëzit do të dashurohen me këtë shthurje; preokupimi për të komanduar do të lodhet si edhe ai për tu bindur. Gratë, fëmijët, rinia nuk do ti nënshtrohen më askujt. Nuk do të ketë më zakone, as dëshirë për rregull, dhe, së fundi as virtyt. Mbi çfarë modelesh do të edukohet atëherë gjenerata e re?

Respekti për të vjetrit do të thotë kthim i dinjitetit atij brezi që ka punuar me idealizëm e abnegacion në krijimin e vlerave morale e kulturore si edhe të mirave materiale gjatë 50 vjetëve, kudo në të gjithë Shqipërinë. Që për fat të keq të tyre, gjatë këtij tranzicioni, është nëpërkëmbur e përbuzur nga të gjitha qeveritë duke u trajtuar me një pension qesharak sa 5-10 per qind e pagës nominale të deputetëve, dhe 3-4 per qind e pagës reale të tyre.

Nuk kërkohet barazi ekstreme, por kjo pabarazi ekstreme është kaq e frikshme, saqë e ka çuar këtë shtresë në kufijtë e mbijetesës dhe të humbjes së dinjitetit, pavarësisht kontributit real që jep në fitoren e së majtës.Një diskriminim i tillë mund të jetë i denjë për një rend feudal dhe jo për atë që aspiron për demokraci

Mosrespektimi i një shtrese të tillë të pambrojtur dhe pa një të ardhur tjetër, përpos pensionit diskriminues, rrezikon ta çojë demokracinë në demagogji.Se në fund të fundit çfarë është demagogjia? Mashtrimi i popullit, duke i joshur me fjalë të bukura e me premtime të rreme për t’i bërë për vete për qëllime e synime të caktuara politike; qëndrim i politikanëve me dy faqe, që ndryshe flasin e ndryshe veprojnë; fjalë të bukura e të zbrazëta që kanë për qëllim të mbulojnë e të shtrembërojnë të vërtetën.

A nuk jeni i tillë ju z.Edi? Me fjalë, falë oratorisë tuaj ekselente, përdorimit të shkëlqyer të shprehjeve dhe batutave si dhe një shqipeje të pastër e të kuptueshme jep shpresë, por në praktikë me veprimet dhe sjelljet të hedh në dëshpërim. Këtu qëndron demagogjia juaj. Ju nuk keni ideale. Ju nuk jeni as i majtë e aq më tepër socialist.

Politikat tuaja nuk janë sociale as për shtresat vulnerable dhe të varfra dhe as për pensionistët (madje ndaj tyre shprehni edhe një lloj “neveritje” Po kështu qëndrimi juaj ndaj luftës Nacional Çlirimtare, dëshmorëve, heronjve dhe veteranëve të saj është kontrovers, madje duke e sfiduar atë edhe me qëndrimet dhe veprimet që mbani ndaj ish bashkëpunëtorëve të nazizmit duke i rehabilituar, në një kohë që bota demokratike europiane i cilëson ende tradhtarë, pa iu shkuar ndonjëherë mendja për tu ngritur buste apo monumente

Por edhe këto qëndrime kanë një synim të përcaktuar.Siç ndodhi edhe me ceremoninë pompoze që ju personalisht organizuat deri në detaj me rastin e ardhjes së eshtrave të Mit’hat Frashërit, Kryetarit të Ballit Kombëtar. Një taktikë djallëzore, shumë planëshe që nuk ka të bëjë direkt me respektimin e një “personaliteti të letrave shqipe dhe kulturës mbarëkombëtare”

Por ka të bëjë me ambicien tënde makiaveliste, që pas depersonalizimit, poshtërimit dhe blerjes e kapjes të së majtës shqiptare, kërkon të de faktorizosh luftën nacional çlirimtare, heronjtë e dëshmorët e saj dhe të rehabilitosh kolaboracionistët, ballistët, zogistët dhe diversantët, për të kapur edhe të djathtën.

Duke realizuar kështu tërësisht në funksion të pushtetit tënd personal si një diktator i vërtetë, por i veshur me kostumin e një liberali të shpenguar. Madje këtij synimi i shërbejnë edhe ndërtimi me koncesione e PPP-të e rrugëve e autostradave si Hitleri, rilindja e qendrave të qyteteve si Musolini, për tu shpëlarë trurin njerëzve se gjoja lufton për të bërë shtet. Shtet bëjnë burrat e shtetit që mendojnë për të ardhmen e vendit e jo për zgjedhjet e radhës

Dhe realizojnë reforma radikale që krijojnë institucione të reja e të qëndrueshme. Reformat tuaja janë sipërfaqësore, pa prekur thelbin, substancën, janë kozmetikë e institucioneve të vjetra si në administratë, shëndetësi e sidomos në arsim që e keni lënë rrugëve.

Vetëm për shou se ju vuani nga deliri i madhështisë dhe kompleksi i Mesias, duke u sjellë në emër të popullit, me arsyetimin se vetëm ti e di se çfarë është e mirë dhe e keqe për këtë popull e për këtë vend duke u shfaqur edhe si bashibozuk. Lëre mënjanë demagogjinë me popullin dhe hipokrizinë me Partinë Socialiste.

Ju që e “vodhët” këtë parti me ndihmën e Gramoz Ruçit, e zhveshët atë edhe nga idealet dhe nga ideologjia e majtë e saj, por në emër të saj shpallët Rilindjen, një organizatë politike eklektike.Mos luani me ndjenjat e socialistëve nga fakti se nuk kanë alternativë tjetër.

Mos e përdorni Partinë e tyre si koperturë për të fituar vota. Kur flet-mohon, pohon, aprovon, rehabiliton fol në emër të partisë tënde – Rilindjes. Dil hapur or burrë. Mos u trego hipokrit me ata që të kanë dhënë pushtetin. /Nga Enada CIKO/

 ABCOM ║ VODAFONE