
Tmerr!!! Unë kam neveri për gazetarët me dy ora! Kam neveri për shkëlqimin e tyre të rremë prej 30 mije eurosh! Unë kam neveri për gazetarët që si mision kanë paradhomën e deputetit, ministrit, kryeministrit apo kryetarit të bashkisë.
Kam neveri edhe për ata gazetare që profesionin e kanë kthyer në opinionisto-analisto- gjithollogë ku e vërteta përdridhet sipas interesit momental. Kam neveri edhe për ata që bëjnë gjoja si të pavarur, duke bërë intelektualin “par excellence” nëpërmjet populizmit fals, gjoja me një shqetësim të thellë intelektual në “momentum”.
O pika!!! Që para viteve 90 kam qenë një ndjekës i thekur i televizioneve italiane. I përkas brezit që u rrit me përpjekje të përditshme për ta ngritur sa me lart antenën e tv- së sepse në këtë mënyrë para dhe pas programeve të TVSH, dilte Rai Uno. Aty pashë për herë të parë Sanremon, pashe për herë të parë Çelentanon dhe Battistin, aty mësova italishten.
Aty njoha Maurizio Costanzon dhe Giovanni Minolin, e më pas Michele Santoron dhe Gad Larnerin. Pas viteve 90, kur antena nuk hynte më në punë, aty pashë për herë të parë Massimo Giletti. Massimo Giletti është gazetar prej 35 vitesh. Giletti nuk ka dy ora nga 30 mijë euro.
Ai vesh të njëjtin kostum para kamerave, herë- herë harron të vërë kollaren; jeton i vetëm, në një shtëpi normale, pa salltanete.
Giletti është një nga ata gazetarë që ia dedikoi jetën luftës kundër “Cosa Nostra”. Reportazhet e tij në skutat më të errëta të malavitës janë emblema të gazetarisë italiane. Ai ia dedikoi jetën demaskimit të krimit dhe korrupsionit; nuk bëri kurrë kompromis me të vërtetën. Për këtë arsye, Massimo Giletti, një ditë të bukur, rreth 10 vite më parë, u përzu nga RAI – si një ” zevzek” që nuk duhej pasur nëpër këmbë.
Që prej asaj kohe, Giletti e ndërtoi emisionin e tij “Non e l’arena” pranë një televizioni privat, Tv7. Pronari, Urbano Cairo, biznesmen i madh, president i klubit të futbollit Torino, parashikoi ndershëm në kontratën e Gilettit lirinë e tij absolute në kërkim të së vërtetës. Sot, në Itali, ky emision përfaqëson një prej dritareve më të ndjekura dhe me të guximshme.
Për 6 vjet ky gazetar zhbiriloi deri tek skutat më tëe errëta të lidhjeve të mafies me shtetin. Ai duke pasur si udhërrëfyes Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, ndërtoi një mori emisionesh deri në zemër të mafies. “Abbattiamoli”, një emision-reportazh rreth tre orë e gjysmë, mbi arrestimin e Toto Rinës dhe Bernardo Provenzanos, tronditi rëndë publikun italian me dyshimet e mëdha të bashkëpunimit të politikes, mafies dhe shërbimeve sekrete. Ai arriti të rihapë disa çështje shumë delikate që përfshinin “mendjet e rafinuara”- si i quante Giovani Falcone politikanët që ishin bashkëpunëtorët e padukshëm të “Cosa Nostra”.
Massimo Gilleti ka disa vite që jeton nën eskortë sepse është i kërcënuar me jetë nga mafia. Këto ditëai në emision po zbërthente rastin e arrestimit të Padrinos së fundit te “Cosa Nostra”, Matteo Messina Denaro, të arrestuar disa javë më parë.
Të dielën tjetër Giletti lajmëroi spektatorët që së shpejti do bënte publike një foto të Silvio Berlusconit me vëllezërit Graviano, pupilot (vogëlushët) e Toto Riina. Të gjithë në pritje!…Por emisioni i radhës me urdhër të pronarit të TV7 Urbano Cairo ndërpritet menjëherë. Arsyet ende nuk dihen!!!…
Massimo Giletti edhe një herë është i vetëm në kërkim të lirisë së tij. Ai nuk ka dy ora nga 30 mijë euro. Nuk ka bërë kurrë reportazhe turistike në favor të atyre që paguajnë. Ai nuk jeton në paradhomën e kryeministrit. Nuk dihet a voton majtas apo djathtas. Një gjë është e sigurtë: Massimo Giletti vlen 1000 herë më shume së Fantomasët fundërrina të veshur me Armani! /Nga Hervin ÇULI/