
Seç ka nji tingëllimë ky emni yt. Aty përzihet diç nga historia, diç nga autentikja e naltësive tona, diç prej mistike malesh a ku ta di unë…por i rrin hijshëm meshtarit shqiptar ky emën.
O Patër Dedë, unë di vetëm se ti ishe i mirë. Të lumët na për ty, o vllau jonë! Të lumë, se qe besa, të krishtenit jeta nuk i merret, por i shndërrohet.
Ty nuk të mungoi kurrë buzëqeshja, edhe kur kambët të shkaktonin dhembje, edhe kur mezi të shpirtit çoheshe prej asaj karroce që mbante trupin tand, për me u takue me ne.
Të kena pa në çdo kremtim meshe duke të mbajtë për krahësh për me marrë kungimin, se kambët e tua nuk i bindeshin ma trunit tand kur ai iu jepte komandën. Ato ishin ngathë krejtësisht prej kohësh e ishin venitë, por jo dëshira jote për me jetue e me u gzue me shokë, me iu gzue jetës.
Ke kenë edhe nji fije rebel ti Patër, por ke kenë edhe i shoqnisë. Më pëlqente ai rebelizmi yt i përzierë me entuziazëm dhe dëshirë për jetën. Dëshira asht motori që e lëviz ekzistencën tonë e ty nuk të mungoi kurrë ajo.
Tash nuk e di si do të mund të përballem me fytyrën tande të ftohtë kur të ta shoh trupin të shtrirë në arkëmort.
Me t’më ardhë lajmi se ti kishe fjetë në pritjen e amshimit, i derdha dy pika lot për ty, Patër Dedë.
Për ty, meshtar i Krishtit e frat i Serafikut, ma i ngjashmi i Krishtit mbi dhe, sot ndiej nji boshllëk, nji dhembje të madhe, duke qenë se kurrë ma nuk kam me të pa e me të përqafue sikur përherë.
E na jena aq pak sivllazën saqë secili prej nesh që ikën, shkon me gjithë brengën e nji vend të madh të mbetun bosh, tu e ditë se sa të vobektë na len.
Pushofsh në paqe frat! Krishti të pastë në parriz, Patër Dedë! /Publikuar në Facebook nga Dom Gjergj META/
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!