
Pader Deda lindi në Kir të Dukagjinit, më 21 mars 1977. Në vjetin 1995 erdhi në Seminarin Minorë të Fretënve në Shkodër, ku edhe mbaroi shkollën e mesme tek Át Pjetër Mëshkalla.
Kje pranue në noviciatin (rishtarinë) e Fretënve Minorë më 28.08.1999 e pasi mbaroi vjetin e rishtarisë, dha kushtet e para më 16.09.2000.
Kreu në Shkodër studimet filozofike dhe teologjike në vitet 2001-2006.
Kushtet e Përjetshme në Urdhnin e Fretënve Minorë i dha më 08.09.2004.
Diakonatin e mori më 14.05.2005.
Meshtar u shugurue më 29. 06. 2006.
Në vjetin 2006 kje anëtar i bashkësisë në Gjuhadol, Rektor i Seminarit të Fretënve Minorë, Zv. Ekonom i Provincës.
Në vjetin 2007, kishte detyrën e Ekonomit në Kuvendin e Gjuhadolit.
Në vjetin 2008, anëtar i bashkësisë tek Arra e Madhe, tue mbajtë detyrën e Përgjegjësit të Konviktit si edhe të Zv. Famullitarit. Po kështu në ketë vjet ai kje edhe Zv. Guardian në Gjuhadol.
Në vjetin 2009 ishte Drejtor i shtëpisë filiale edhe i Konviktit tek Arra e Madhe. Gjatë këtij vjeti ushtroi detyrën e Zv. Guardianit në Gjuhadol dhe të Zv. Ekonomit Provincial. Ishte Famullitar i Kishës së “Zojës Rruzare”.
Po kështu nga vjeti 2009-2012 kje Definitor Provincial. Mbuloi edhe këto detyra: Drejtor i shtëpisë filiale dhe i Konviktit tek Arra e Madhe, Zv. Guardian në Gjuhadol, Zv. Ekonom Provincial si dhe Zv. famullitar në Famullinë “Zoja Rruzare”.
Në vitet 2013-2015 u transferue në Kuvendin Françeskan të Lezhës dhe mbajti këto detyra: Anëtar i bashkësisë në Lezhë, Zv. Guardian, Anëtar i ekipit për pastoralin e thirrjeve si dhe Administrator i Famullisë Troshan-Fishtë.
Në korrik të vjetit 2015 deri në vjetin 2021 u transferue pranë Kuvendit Françeskan “Zoja Rruzare” tek Arra e Madhe, ku dhe u caktue si Zv. Guardian dhe Zv. Famullitar.
Në mars të vjetit 2021, pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore kaloi në infermierinë provinciale tek Arra e Madhe, ku deri në momentet e fundit të jetës i shërbyem përzemërsisht prej fretënve, murgeshave dhe familjarëve.
Qysh në vjetin 2007 iu shfaqën shenja të sëmundjes tue fillue një lloj paralize, e cila erdhi e u përkeqësue deri sa e paralizoi krejtësisht. Nën kujdesin e veçantë të fretënve, të miqve dhe të bamirësve bani shumë kura mjekësore, por kje i pamundun shërimi nga kjo sëmundje.
Ishte i dashtun dhe i komunikueshëm me të gjithë, i urtë e i përvuejtë, tipike e bijve të Shën Françeskut. I zellshëm në predikim dhe në kryemjen e detyrave që i kjenë caktue prej Provincës Françeskane Shqiptare.
Mbasi mori Sakramentin e Vojimit ndërroi jetë në Kuvendin e “Zojës Rruzare”, më 03 qershor 2022 në orën 2230 minuta. /Nga Provinca Françeskane Shqiptare/
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!