
Një lajm i mirë për Vllazninë. Klubi shkodran mund të privatizohet brenda 2-3 muajsh, nëse ekziston vullneti i duhur për ta bërë këtë gjë. Kjo është deklaruar nga sponsori i tij Alban Xhaferi që në fakt e konsideron domosdoshmëri sa më të shpejtë sepse ndryshe skuadra edhe nëse siguron daljen në Kupat e Europës, nuk do të mundet të luajë dot në to.
“Procesi i privatizimit ka kaluar tashmë disa hallka të rëndësishme pasi vendimi i Këshillit Bashkiak për nisjen e procedurave të shitjes, është firmosur edhe nga Prefektja. Tashmë mendoj se kryetarja e Bashkisë do të shohë kohën e përshtatshme për ta hapur ankandin.
Ajo çfarë diskutohet është se procesi duhet shtyrë të paktën deri në fund të sezonit në mënyrë që të mos ketë ndikim tek ekipi që po bën një ecuri të shkëlqyeshme deri më tani. Por në fakt, sponsori Xhaferi dhe një nga kandidatët për ta blerë Vllazninë, mendon ndryshe.
“Unë mendoj ndryshe. Vllaznia ka hyrë në një fazë shumë dinamike të pjesmarrjes në Kupat e Europës. Por siç e dini, që të ndodhë kjo gjë, klubi duhet të kalojë disa etapa që kanë të bëjnë me liçensimin e tij dhe një nga kriteret kryesor është edhe ai financiar.
Mendimi im është se pa u privatizuar klubi, Bashkia e ka të vështirë të marrë liçensimin për në Europë. Për këtë arsye, procesi i privatizimit jam i mendimit se duhet mbyllur edhe më përpara, mundësisht deri në fund të shkurtit.
Kjo sepse duhet të shkojë në harmoni të plotë edhe ana financiare, por edhe lidhja e marrëveshjeve me palët e treta që u ka borxh klubi. Normalisht kur lidhet një marrëveshje e tillë, çdo palë kërkon një garanci dhe tashmë Bashkia në vetvete nuk ka ofruar garanci për këtë gjë dhe prandaj duhet ta bëjë privati”- ka thënë Xhaferi.
I pyetur ndërkohë nëse është e mundur që procesi i privatizimit mund të përfundojë deri në mars që është edhe periudha e fundit kur klubi do të marrë liçensimin për në Europë, njeriu që ka hedhur edhe kandidaturën për të blerë Vllazninë, shprehet:
“Nëse ka vullnetin e mirë, procesi i privatizimit mund të mbyllet shumë shpejt, edhe brenda dy muajsh. Tani është në dorën e Bashkisë kjo gjë dhe ajo duhet ta shfrytëzojë momentin për ta finalizuar këtë proces sa më shpejt të jetë e mundur”.