Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati në konferencën e posaçme për shtyp me homologun maqedonas, Nikola Dimitrv sqaroi gazetarët që e pyetën pse nuk e kishte përmendur marrëveshjen e Ohrit gjatë fjalës së tij. Bushati tha se një pjesë e saj tashmë është shkrirë në programin e qeverisë së Zaev, e cila ka një këndvështrim tjetër për shqiptarët. Për të vërtetuar këtë ai tregoi edhe një rast pozitiv me të cilin ishte përballur në Bruksel.
““Një pjesë e përgjigjes duket se u dha nga ministri, për konceptin që përfaqëson qeveria e re në Maqedoni lidhur me barazinë në të drejta dhe detyrime të shtetasve që jetojnë në Maqedoni. Marrëveshja e Ohrit gjendet e trupëzuar në deklaratën e partive shqiptare por edhe në programin e qeverisë së re, i gjej edhe në platformën 3-6-9 të prezantuar në Bruksel dhe para partnerëve ndërkombëtarë. Më është bërë zemra mal kur krahë për krah me Dimitrov ka qenë edhe një ministër shqiptar, shtetas i Maqedonisë në Këshillin e Stabilizimit me Mogherinin dhe Hahn. Jemi në këtë fazë, pjesë e ndryshimeve janë bërë partitë shqiptare, po punojmë me njëri-tjetrin për ta fuqizuar këtë frymë ndryshimi, për të shikuar se cilat praktika duhen mbështetur për të shkuar përtej referimeve politike si ajo e Ohrit”,- sqaroi Bushati. /BalkanWeb/