Ditën e djeshme, zona e “Petro Nini” u kthye në një shfaqje sa të shëmtuar aq edhe të dhimbshme. Aksioni për shembjen e një godine nga një përmbarues privat u shoqërua me perplasje të forta verbale, të qara, lutje e ulërima…
Me vendim të gjykatës pas shembjes së godinës, trualli do t’u rikthehet ish-pronarëve, ndërsa familjarët ,të cilët shprehen se jetojnë në atë banese prej më shumë se 75 vitesh, pretendojnë se kanë dokumentacion të rregullt dhe se nuk ekzistojnë pronarë të tjerë.
Një prej pronarëve i cili pretendon t’i kthehet trualli është Aleksandër Gavoçi, një emër aspak i panjohur për botën e biznesit. Gavoçi, figuron aksioner në disa kompani si dhe debitor në banka.
Kështu, ai është Anëtar i Këshillit Mbikqyrës në ‘Vega sha’; ortak në kompaninë ‘CLEANLINESS’, aksioner i ‘Shkodra Inert’, administrator i Kompanisë së ndërtimit ‘S.A.R’, administrator i kompanisë ‘Shkodra Beton’ dhe administrator i kompanisë ‘VEGA.’
Lidhur me tensionin dhe pamjet e rënda të ditës së djeshme te ‘Petro Nini’, Aleksandër Gavoçi tha për mediat:
“Janë disa vendime të gjykatës që kanë marrë formën e prerë, jam tash 20-22 vjet nëpër gjyqe. Çfarë duhet të bëjë përmbarimi, duhet ta ekzekutojë apo ta lënë edhe 20 vjet të tjera. Unë u kam ofruar zgjidhjen gjithmonë atyre zotërinjve, kam shumë dëshmitarë. Të gjitha llojet. Është mirë të shihen letrat.Marrëveshjet janë me letra, shkeljet që janë bërë. Nëse ajo pronë është e imja unë do ta gëzoj.Vendimet e gjykatës duhet të respektohen, nëse ata kanë kundërshtime për vendimet çfarë të bëj? Ato prona janë blerë nga gjyshi im Ali Riza Kosova.Janë blerë që në vitin 1928, e kam dhe aktin para noterit që është blerë 1800 napolona floriri”.