Ka të paktën dy muaj që në rrugën e rikonstruktuar të Velipojës janë konstatuar çarje, shëmbje dhe vrima të çuditëshme. Bëhet fjalë për një vepër të rëndësishme, e cila akoma nuk është përuruar. Të fundit që kanë bërë konstatimet para disa orëve, janë mediat lokale që nuk kanë nguruar ta quajnë “skandal”.
Pa u futur në çështje teknike, vertetë jemi në kufinjtë e një skandali. Kjo rrugë u kushton taksapaguesve shqiptarë jo pak, por plor 2.3 miliardë lekë ose 20 milion dollarë për ta kuptuar më mirë dhe është një kufinjtë e 18 km. Pra, çdo kilometër kushton më shumë se 1 milion dollarë ose çdo centimetër më shumë se 1 dollar.
1 milion dollarë për kilometër, në dukje nuk është shifër e lartë po të kihet parasysh për shembull kostoja e Unazës së re të Tiranës që arrin rreth 20 milion euro për kilometër. Por edhe 1 milion dollarë për kilometër është shifër e lartë për rrugën e Velipojës. Në pjesën dërrmuese, është ruajtur traseja e vjetër e rrugës dhe vetë në pjesën e Berdicës është ndërtuar një segment i ri, i cili nuk po përfundon kurrë për shkak të mungesës së shpronësimit të pronarëve të tokës. Edhe veprat e artit nuk justifikojnë këtë çmim, ndërsa është janë shumë pak në gjatësinë e rrugës. Në pjesën tjetër të trasesë, ka vetëm zgjerim të rrugës, maksimumi me një metër. Hijet e dyshimit për korrupsion me këtë fond, janë të ligjshme, edhe pse akoma firma kontraktore nuk është paguar për punën e bërë.
Dyshimet për korrupsion shtohen me problemet e shumta dhe në një gjatësi të madhe të rrugës. Gjatë përmbytjeve biblike të shkurt- marsit, pjesë të tëra të aksit akoma të papërfunduar, mbetën nën ujë. Asokohe u tha se rruga nuk dëmtohet por problemet e ditëve të fundit, tregojnë të kundërtën. Çarjet, shembjet dhe vrimat vertikale në trupin e rrugës janë shenja të gërryerjes së trasesë poshtë asfaltit. Detyrimisht, rruga pritej të dëmtohej siç edhe ndodhi. Kryesisht për shkak të përmbytjeve, por edhe të ngutjes qeveritare për të vënë rrugën në shfrytëzim të parakohshëm për sezonin turistik. Kryeministri, zëvendëskryeministrja dhe ministri i jashtëm premtuan se rikonstruksioni i rrugës nuk do të penlizonte seyonin turistik në Velipojë. Në vend të analizimit të situatës së rrugës pas përmbytjes dhe riparimit të saj në pjesën nën asfalt, u veprua me shpejtësi me shtrimin e tapetit të asfaltit. Por ai asfalt po mbështetër mbi një trase të dëmtuar nga përmbytjet e sot, pamjet flasin më shumë se fjalët se si është e verteta!
Fakti që prej dy muajsh, kompania kontraktore nuk po vë dorë për riparimin e saj, flet shumë. Sipas gjasave, duhen fonde shtesë për të riparuar deri në eleminim problemet e shfaqura. Sepse mund të hidhet asfalt për të mbyllur çarjet, shembjet e vrimat, por do të ishin si të hedhura në det nëse nuk vihet dorë mbi trupin e rrugës. Edhe rruga e Velipojës duket se do të ndjekë shembullin e Rrugës së Kombit, rrugës Elbasan- Tiranë, Unazës së re të Tiranës: nga 20 milion dollarë të fillimit, duhet të shtohen edhe të tjera. Para këto, që do të nxirren nga xhepat e shqiptarëve, edhe pse qeveria e rradhës do të rrahë gjoksin para qytetarëve, që edhe në emër të kësaj rruge, do t’u kërkojë votat vitin që vjen.
Në fund, për t’iu rikthyer kostos së ndërtimit të rrugëve. Bashkia e Shkodrës, përmes titullares Voltana Ademi ka deklaruar se mesatarisht 1 km rrugë i kushton qeverisjes vendore 100 milion lekë, më pak se 100 mijë dollarë. Bëhet fjalë për rrugë që variojnë nga 6 deri në 10 m të gjëra, aty ku ka mundësi edhe me trotuare pa llogaritur kanalizimet KUB, KUZ, fibrat optike, ujësjellësin, ndriçimin e sinjalistikën vertikale e horizontale. Por edhe nëse rruga mund të ishte dyfish më e gjërë, nuk mund të shkojë më shumë se 200 mijë dollarë për kilometër. E 1 kilometër i rrugës së Velipojës deri më sot, kalon 1 milion dollarë. A mund të flitet për korrupsion, për pagesë haraçi nga kompanitë për ata që hedhin tenderat? Pyetje retorike! /Nga Sokol N. Sokoli/