E shkruar me të kuqe gjaku, në mes të territoreve shqiptare, aty pranë ku lexohet “Albania”, është edhe “Scandrebeco”. Në një hartë detare të vitit 1455, ku shkruhen vetëm emra vendesh, perandorësh dhe stema të familjeve të mëdha mbretërore europiane, kartografi gjenovez, ka shkruar edhe emrin e Skënderbeut. Një rast i rrallë, që parashikonte një ngjarje të madhe.
Skënderbeu po përgatitej të shpallej regjent. Në mbyllje të Vitit jubilar Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe në prag të Festave të Nëntorit, në Sallonin e Kryeministrisë, u ekspozua mbrëmë një artefakt i rrallë, “Harta Detare Një”. E njohur ndryshe si Carta Nautica Uno, ajo është realizuar në vitin 1455, nga kartografi gjenovez Bartolomeo Pareto dhe është një dëshmi, që, siç do të thoshte Kryeministri Edi Rama e më pas edhe arkitekti i apasionuar pas trashëgimisë kulturore, Artan Shkreli, se Skënderbeu nuk ishte një legjendë e sajuar, por një fakt historik.
Duke cituar Fan Nolin, i cili shprehej se nëse shqiptarët vërtetojnë dokumentarisht saktësinë e tri fushatave të sulltanëve të Krujës dhe dështimin e tyre, atëherë ne kemi vërtetuar se gjithë historia e shkuar për Skënderbeun është e vërtetë. “Artefakti që do të shikoni, një hartë në një lëkurë viçi ende të palindur, është më shumë se një vepër. Ajo e sjell veprën e Skënderbeut të gjallë. Nëse Skënderbeu do të kishte qenë një mit, pas vdekjes në një vend të atij për të cilin e njohim, ky emër nuk do të ishte shkruar”, u shpreh Rama.
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama u ndal në këtë vit aktivitetesh kushtuar Heroit Kombëtar, që, sipas tij, shërbeu edhe si një motiv për t’u përmirësuar. Në mbyllje, Kryeministri iu referua këtij artefakti, duke cituar fjalët e Papës Kaliksti III, adresuar Skënderbeut, në vitet 1450- 1457: “Ne, bir i dashur, kemi pasur gjithmonë mendim shumë të mirë për fisnikërinë tënde. Emri yt i lumtur është përhapur në të gjithë popujt për të gjitha këto punë të mira që ti ke kryer, për këto fitore të shkëlqyera që ti ke korrur. Qofsh pasqyrë e shembull për të gjithë princat e krishterë dhe për mbarë kombet dhe emri yt do të kurorëzohet prej famës së amëshuar! Roma locuta, causa finita! (Pas fjalës së Romës, çështja quhet e mbyllur), thoshin dikur ca pleq me mjekër, buzëhollë e të ditur”.
Ekspozimi i hartës, e cila gjendet në Bibliotekën Kombëtare të Romës, u bë i mundur falë përpjekjes së Artan Shkrelit, me ndihmën e paçmuar të ambasadorit italian në Shqipëri, Alberto Cutillo. Shkreli bëri një prezantim të artefaktit, që nga mënyra sesi ajo është realizuar, te një fakt që shumë studiuesve, që kanë marrë në shqyrtim këtë hartë, u ka shpëtuar. Bëhet fjalë pikërisht për mbishkrimin “Scanderbeco”, i cili nuk mund të ishte një toponim.
Duke shpjeguar natyrën e hartave, “Emra njerëzish të shquar nuk ka në këto lloj hartash. Kemi të bëjmë me një fakt epokal, që Skënderbeu po përgatitej të shpallej regjent i mbretërisë së Shqipërisë, Epirit dhe Maqedonisë, siç shkruhet në “Aktet”. Këtë përgatitje e fillon Papa Nikolla V, për ta mbyllur Papa Piu II, por që ai vdes gjatë fushatës për të ardhur në Dalmaci, ku do të bëhej edhe shugurimi Mbret i Skënderbeut”, thotë Shkreli.
Duke nënvizuar rëndësinë e figurës së Skënderbeut, në nivel europian, ai shton se, “me epokën e Skënderbeut, arbrit hynë fuqishëm, jo si një toponim dhe as si shprehje gjeografie, por si një nga popujt që përcaktonin fatet e Europës”, tha Shkreli, duke shtuar se Skënderbeu është hero europian, nuk është vetëm një hero arbëror, por u përket të gjithëve.
“Ai ishte një legjendë e gjallë, nuk është as krijim artificial i venedikasve as i austro-hungarezëve, as i komunistëve, si duan ta nxjerrin sot dhe as i nacionalizmit turbo-shqiptar të sotëm. Kjo është arsyeja përse që në kohën e Frang Bardhit plasën polemikat e vendeve që na rrethojnë ne për ta përvetësuar etnikisht Skënderbeun. Është një përpjekje e marrë të përvetësosh etnikisht Skënderbeun. Ky artefakt vetëm përforcon atë që gjithë shqiptarët e dinë dhe u ndal vrapin atyre njerëzve që janë ngritur me kazmë për të dekonstruktuar figurën e Skënderbeut”, përfundoi ai, duke ftuar të gjithë të pranishmit për të parë hartën mesjetare. “Carta Nautica Uno” do të ekspozohet për publikun deri më 15 dhjetor 2018.
Carta Nautica Uno, e realizuar nga Bartolomeo Pareto për Papën Nikolla V, i takon vitit 1455. Ajo vjen për shqiptarët nga Biblioteka Kombëtare Qendrore e Romës në Itali. E zhdukur përgjatë dy shekujve, ajo do të gjendej në një bodrum të murosur, për t’u bërë më pas pjesë e Bibliotekës së Romës, në shek. XVIII.
Ajo është realizuar sipas teknikës së kohës, mbi lëkurën e hollë të një viçi të palindur (të abortuar). Një teknikë që hasej rëndom në ato vite, ndërsa sot është zëvendësuar me të tjera gjetje artificiale teknologjike. Harta mbart një rëndësi të veçantë historike sepse vizualizon elemente dekorative dhe shënjon vende me interes të posaçëm; rrëfen një bashkëkohësi ngjarjesh historike, në mënyrë të veçantë trysninë osmane në Europë, e posaçërisht në gadishullin e Ballkanit. Veçmas aty, në hapësirën e Arbërisë, shquhet një toponim i pazakontë, “Scandrebeco”.
E veçanta qëndron në faktin se në këtë hartë dhe në të gjitha hartat e ngjashme të këtij lloji, pra, detare, nuk shënoheshin asnjëherë emra njerëzish të shquar. Përveç toponimisë, aty gjen simbole perandorish si “Magnus Turchus” apo stema familjesh mbretërore. Përveç kësaj, ky toponim i ngulët në qendër të hartës përfaqëson jo vetëm një zbulim të mirëfilltë në rrafsh albanologjik, por edhe një kontribut të paçmuar në zbardhjen e personalitetit real të heroit arbëror Gjergj Kastriotit.
Siç do të shpjegonte arkitekti Artan Shkreli, ky mbishkrim ishte shenjë, që një ngjarje e madhe po ndodhte në tokën e Arbrit. Po përgatitej shugurimi Mbret i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Një proces që nisi përgatitjet, por që mbeti i parealizuar shumë pranë ceremonisë përfundimtare.