Është e pabesueshme por Edi Rama nuk po ndjehet! Situata është në prag të shpërthimit. Jo aq nga protesta e neserme e opozitës para Parlamentit që nuk guxoi të mblidhej në seancë plenare. Problemi i madh sot janë disa firma të hedhura mbi një letër dorëheqje të pjesës dërrmuese të deputetëve të opozitës!
Edi Rama është shah, gati- gati shah- mat! Nuk i ka mbetur asgjë për të thënë. Pasi nuk i doli parashikimi për “blofin” e rradhës, kryeministri është futur në një heshtje të thellë. Në vend të tij, po flasin diplomatët e huaj në Tiranë.
Ndoshta për herë të parë që nga 1998-a, Edi Rama është në një pozicion pasiv pritje të asaj çfarë do të ndodhë, pa patur mundësi të ndikojë. Sipas gjasave, duhet të jetë diku i mbledhur me këshilltarët e tij më të afërt e të besuar dhe që…nuk kanë shumë çfarë ti këshillojnë në këto momente.
Edi Rama ka marrë tanimë goditjen më të fortë që nga 2013-a kur erdhi kryeministër. Rrezikon të qeverisë si në monizëm, pa opozitë në parlament. Në rastin më të mirë për të, opozitë të emëruar. Ndjehej i fortë, i plorfuqishëm me 78 numra në Kuvend, por që iu kthyen në pluhur nga lëvizja e Lulzim Bashës.
Edhe tavolina, ku Rama duket se është një aktor shumë i aftë, nuk mund të sherbejë. Të paktën pa hedhur hapin e parë kryeministri, pas dorëzimit të mandateve të deputetëve. Është një hap dhimbshëm, nëse do të ndërmerret. Kushti i panegociueshëm i opozitës është largimi i Ramës nga kryeministria. Nga ana tjetër, mund të qeverisë edhe i vetëm, pa opozitë por do të ishte një qeverisje në opozitë me qytetarët dhe në 2021-in do të merrte verdiktin pa kthim të largimit nga politika. Gjithmonë nëse do të rezistonte deri atëherë.
Edi Rama hesht! Nuk ndjehet, nuk shkruan, nuk shprehet! Sepse nuk ka se çfarë thotë. Vetëm mund të veprojë. Është gati shah- mat! Mbase është, pa gati, por nuk dëshiron ta pranojë! Siç e ka zakon! Si “misionar”, mund të besojë tek ndonjë “mrekulli” apo “deus ex machina”. Por nuk duhet kohë mrekullish…/Koment i ShkodraWeb/