Deputetët e opozitës në Kuvend dhe ata që janë kandidatë në lista për ti zënë vendin, kanë nisur “djegien e mandateve” përmes firmosjes së dorëheqjeve dhe deklaratave për heqje dorë nga mandati që mund ti takojë si pjesë e listave në qarqe.
Ideja radikale por edhe e vetme funksionuese e Lulzim Bashës, po shkon drejt përmbushjes së plotë. Lideri i opozitës ia ka dalë të unifikojë në këtë qendrim LSI-së dhe të gjithë aleatët e tjerë, që për hir të realitetit, vendet i kanë nga lista e PD në 12 rajone.
Nga 2013 kur u ngjit në krye të PD-së, karriera e politike e Lulzim Bashës nuk ka qenë më e suksesshmja e mundshme. Deri në vitin 2015 në krye të Bashkisë së Tiranës, ishte deri diku i dyzuar në mes qeverisjes vendore dhe drejtimit të PD-së. Prova e vertetë e tij si lider i opozitës, nisi pikërisht me largimin e tij nga bashkia e kryeqytetit.
Në 2017-ën, ishte prova e parë dhe Basha i besoi imazhit si lider i ri europian në politikën shqiptare. Rezultati ishte katasrofë. PD ra në rezultatin më të ulët që nga 1997-a. Deri diku, legjitimoi marrjen e “timonit” nga Rama i vetëm përmes përfshirjes në një qeveri teknike me 5 ministra e disa drejtorë si propozime të PD-së. Marrëveshja e 17- 18 majit 2017, e imponuar me të gjitha mjetet nga ndërkombëtarët, rrezikoi deri në eleminim politik Lulzim Bashën. Sipas gjasave, kjo ishte pika e fortë e reflektimit të tij si lider i një partie politike genetikisht opozitare dhe një mentaliteti europian por jashtë kontekstit të Shqipërisë, siç lindi lidershipi i Bashës.
Basha nisi rrugën e ndryshimit. Natyrisht, i ndihmuar me apo pa dashje nga skandalet e njëpasnjëshme të qeverisë, të cilat nisën të evidentohen me fakte e prova edhe gjyqësore nga mediat e huaja. Nga “çadra paqësore e lirisë” së 18 shkurtit 2017 për të arritur qëllimin politik, dy vite më pas Basha tërhoqi PD-në e opozitën në hapin më radikal jo vetëm në vend por ndoshta edhe në botë: “Djegien e mandateve” apo dorëheqjen në bllok të deputetëve dhe kandidatëve për deputetë në lista. Në një sistem demokratik, është “arma” e fundit legale që një opozitë mund të përdorë për arritjen e qëllimeve. Në fakt, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë e lehtë për Bashën. Kauza është e lartë, sublime- garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Por përballë tyre, ishte dhe është fati i 43 deputetëve dhe 150 kandidatëve të tjerë në lista. Deri tani duket se gjithçka po bëhet në bllok, me ndonjë përjashtim “Lefterësh” në PD dhe LSI.
Lulzim Basha, i vetëm, po merr një barrë shumë të rëndë mbi vete. Sigurisht, nëse lëvizja shkon deri në fund me sukses, ai do të hyjë në historinë e vendit, ndoshta edhe për tu studiuar si kazus politik në fakultetet e shkencave politike nëpër botë. Prej disa javësh po shohim një Lulzim Bashë që nuk e kishim njohur, ndryshim total i imazhit dhe veprimit politik me të cilin ishim mësuar nga 2013-a. Mbase i ka gjetur “ilaçin” marrëdhënies me Edi Ramën. Por duket qartë se nuk është eksperiment, aq edhe bllof siç thotë Rama. Edhe thirrjet e SHBA, Gjermanise, Italise, BE-së, OSBE-së etj., deri tani po bien në veshin e shurdhër të Bashës. E ka deklaruar vetë, është momenti të dëgjojmë sovranin! /Nga Blerti DELIJA/