Kanë kaluar më shumë se tetë orë nga postimi i fundit në faqen e tij zyrtare në Facebook. Edi Rama çuditërisht po hesht. Një dashnor i fjalës dhe i përdorimit të rrjeteve sociale, sidomos Facebook- ut, është futur në një gjendje të pazakontë. Mbase meqë sot është e diel… Por jo! Në faqen e tij ka me mijëra postime edhe në ditët e diela, madje edhe për çështje shumë më pak të rëndësishme se rreziku i shembjes së një krahu shumë të rëndësishëm të shtetformimit, siç është ikja e përhershme e opozitës.
Në pamje të parë, është një heshtje e orkestruar. Ka patur vetëm një zë nga krahu i Edi Ramës. Spiropali ka folur. Më saktë, ka shkruajtur. “Lulzim Basha tha se do digjte qeverinë dhe paska vendosur të djegë opozitën! Sinqerisht nuk do ta dëshironim kurrsesi degradimin e tyre konstant, po në këto kushte, duhet pohuar kjo e keqe e ka një të mirë: Nuk do t’i marrin më rrogat për ta ndotur Parlamentin me baltë e bojë!”, ka cicëruar në Twitter ministrja e Marrëdhënieve me Kuvendin dhe zëdhënëse e Qeverisë. Është e sigurtë se nuk ka folur në emër të Ramës. Ose, është një testim për të parë reagimin e opozitës. Cicërima e Spiropalit është mbuluar me heshtjen deri në injorim të krahut të djathtë të politikës.
Është e diel, por ata që e njohin nga afër Edi Ramën, e dinë se ai fle shumë pak. Dhe pushon edhe më pak. Sidomos sot, ai mund të flejë më pak se asnjë ditë tjetër. Kryeministri e di se alternativat në fushën e shahut politik, po i pakësohen. Numrat që ai ka mbështetje në parlament, mund të shkërmoqen me një veprim nga jashtë, siç është djegia e mandateve të opozitës. Edhe nga jashtë, situata nuk është shumë më e mirë. Statusi i vendit kandidat për në BE, vazhdon të ketë kundërshtimin e palëkundur të Gjermanisë dhe Francës. Këtë nuk e thonë “kazanët” mediatike shqiptarë, por i fundit që e artikuloi ishte mbrëmë TG5 në Canale5 të Italisë, si pjesë e kronikës së protestës së opozitës në Tiranë.
MUND TË LEXONI EDHE: ANALIZA/ Djegia e mandateve opozitare si nisja e një rrugëtimi pa kthim që shemb sistemin…
Edi Rama e kupton mirë se Lulzim Basha nuk po luan bllofin. Shefi i mazhorancës e di se rivali i tij nuk është në kushtet e “çadrës së lirisë” që polli marrëveshjen djallëzore të 17-18 majit 2017, me ndikimin e fortë të ndërkombëtarëve, sidomos të Donald Lu dhe Vlahutin. Rama e di mirë se Basha po luan gurët e tij të fundit, vendimtarë, për të legjitimuar jo vetëm opozitën por edhe pozicionin e tij në krye të saj. Lideri i opozitës nuk mund të kënaqet më me skenarin e para dy viteve, i cili i solli një tronditje të fortë nga brenda e jashtë PD-së. Kryeministri e di mirë se edhe zgjedhjet e dekretuara të 30 qershorit, ka pak shnase të bëhen me pjesëmarrjen e opozitës dhe me kryesimin e qeverisë nga ai.
Edi Rama kupton mirë rrezikun fatal që i kanoset nëse Basha çon deri në fund nismën e tij të djegies së mandateve parlamentare. Praktikisht, shqiponja mbetet me një krah dhe sigurisht nga qielli do të përplaset përtokë. Kështu thonë ligjet e natyrës. Edhe ideja e kahershme e “emërimit” të një opozite apo plotësimit të vendeve që mund të krijohen nga djegia e mandateve, nuk sjell asnjë përfitim për Ramën. Në kushtet aktuale, kryeministri nuk mund ti ofrojë asgjë bindëse Bashës me përjashtim…të qeverisë teknike apo tranzitore, qoftë edhe me synim përfundimin e mandatit të Rilindjes që nisi nga 2017 por me një përbërje shumëngjyrëshe e me një kryeministër jashtë rradhëve të PD e PS-së. Pak a shumë shembulli i Italisë me Montin kryeministër dhe dy liderët e partive të koalicionit Di Maio dhe Salvini si zëvendëskryeministra e ministra. Qëllimi i vetëm i jetës së kësaj qeverie do të ishte krijimi i një klime besimi për zgjedhje të lira e të ndershme, të gjithëpranueshme duke patur si bankoprovë zgjedhjet vendore para atyre politike.
Duket e pabesueshme, por vetëm me artikulimin e “djegie mandatesh”, Lulzim Basha është ai që mund të diktojë kushtet nga sot. Dha janë kushte që vështirë të jenë të ngjashme me ato nga 1990- a e këtej. Natyrisht ka mundësi për zgjidhje dhe duhet të gjendet një e tillë. Por për herë të parë në këto 30 vite, është mundësia që të udhëheqë opozita dhe jo shumica. Sipas gjasave nuk do të jetë as “krokodil” dhe as “17-18 maj”. Është detyra e politikës ti gjejë emrin. Përndryshe, e ardhmja do të ishte shumë më e zymtë se e sotmja! /Koment nga ShkodraWeb/