Lulzim Basha ka kaluar çdo parashikim të mundshëm! “Djegia e mandateve” është propozimi që ai ka vendosur ti bëjë Grupit Parlamentar dhe strukturave të larta vendimmarrëse të PD-së. Në kushtet e qëndrimit brenda sistemit, nuk mund të ekzistojë asnjë lëvizje më radikale. Opozita detyrohet të dorëzojë solemnisht pushtetin që zgjedhësit i dhanë para rreth dy viteve përmes delegimit në zgjedhjet politike.
Natyrisht, vendimmarrja nuk do të jetë shumë e lehtë dhe as kohëshkurtër në afate. Pasi të diskutohet dhe të miratohet në Grupin Parlamentar, vendimi duhet ti nënshtrohet në formë piramidale Kryesisë, Këshillit Kombëtar por edhe Kuvendit Kombëtar. Sipas gasave, vendimmarja duhet të kalojë në të gjitha këto forume për ti dhënë legjitimitetin e duhur maksimal një vendimi të tillë.
Edhe pse nuk është votuar në asnjë instancë, vendimi i Bashës natyrshëm mirëpritet. Nuk janë të paktë demokratët që kanëparë vëngër opozitën: Në krah të qytetarëve në sheshe shpesh herë, por edhe duke përfituar privilegje si deputetë, të zgjedhur apo emëruar. Normalisht, nëse do të miratohet, djegia e mandateve opozitare do të jetë vetëm fillimi. Sigurisht ai duhet dhe do të shoqërohet edhe me hapa të tjerë. Duke nisur nga 15 bashkitë e drejtuara nga opozita me dorëheqjen e kryebashkiakëve për ta pasuar më pas në mbarë vendin, me dorëheqjen në bllok të këshilltarëve bashkiakë.
Një sipërmarrje e tillë, do të paralizonte në kuptimin e plotë të fjalës të gjithë funksionimin e shtetit. Pa opozitë reale në Kuvend por në shesh, pa kryebashkiakë dhe këshilltarë nnë ushtrim të mandateve të fituara në zgjedhjev bashkiake, vendi do të zhytej në një kaos total. Praktikisht, një vend me një opozitë aktive jashtë institucioneve, do të çonte drejt shembjes së sistemit me pasoja që pakkush mund ti parashikojë.
Historia jo vetëm shqiptare ka treguar se politika është si ajsbergu: Vetëm një e shtata del mbi ujë ku mund të shihet. Deklarata e sotme mund të lexohet edhe si një ultimatum fundor, vijë e kuqe që i prezantohet kryeministri Rama. As shefi i qeverisë nuk do të preferonte një lëvizje kaq radikale nga opozita sepse natyrisht, parashikohen edhe pasojat. Mbase pas këtij ultimatumi të Bashës, sidomos nëse PD nis mbledhjen e forumeve për vendimmarrjen, mund ta detyrojë Ramën për një zgjedhje të vështirë, edhe pse duket në kufijtë e të pamundurës: Dorëheqjen dhe krijimin e një qeverie tranzitore!
Ajo çfarë është e rëndësishme është se opozita po përdor “armën” e fundit ligjore brenda sistemit. E këtë herë, kauza opozitare për zgjedhje të lira e të ndershme, ka fakte, prova edhe nga mediat ndërkombëtare. Pakkush mund ta vëjë në dyshim se me Ramën kryeministër, me sistemin e ngritur për administrim- fitimin e zgjedhjeve, ka shumë pak shanse që ai të largohet si humbës me votim qoftë në zgjedhjet e 30 qershorit apo edhe të pas dy viteve.
Pas lëvizjes së beftë të Bashës, indicie për të cilën Rama ka patur me patjetër prej kohësh, kryeministri nuk është në një pozitë të lehtë. Pas shahut të dhënë nga Basha, duhet të presim lëvizjen e rradhës së shefit të qeverisë! Duke shpresuar të mos jetë përsëri në kufijtë e lëvizjes për konsum publik! Sepse koha e fjalëve duket se po shterret me shpejtësi… /Nga Blerti DELIJA/