Prej disa orësh, forcat e policisë po bëjnë shoqërime në të gjithë vendin. Në shenjestër deri tani të paktën, janë protestues të thjeshtë. Bazuar në fotografitë dhe pamjet filmike, një grup prej 5 prokurorësh të Tiranës, po kërkojnë shoqërimin, ndalimin e më pas arrestimin e personave që sipas tyre kanë kryer shkelje gjatë protestës së 16 shkurtit para Kryeministrisë.
Përgjegjësia për aktet e supozuara të dhunës ndaj unifrormave blu apo shkatërrimit të pronës, janë individuale. Por sipas ligjit “Për tubimet”, neni 11 i tij, përgjegjës janë fillimisht organizatorët. Konkretisht, në këtë nen përcktohet qartë:
“1. Drejtuesi i tubimit është përgjegjës për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e tubimit. Ai duhet të mbështesë policinë në ruajtjen e rendit, të vendosë për ndërprerjen, vazhdimin ose mbylljen e tubimit, të lejojë marrjen e fjalës, të ndërpresë oratorët në fjalën e tyre dhe të deklarojë mbylljen e fjalimeve ose të tubimit. 2. Drejtuesi i tubimit dhe ndihmësit e tij kanë autoritetin për t’u dhënë urdhra pjesëmarrësve në tubim, me qëllim ruajtjen e rendit pubik. 3. Në rast se urdhrat e drejtuesit të tubimit nuk zbatohen nga pjesëmarrësit dhe rrezikohet mbarëvajtja e tubimit, drejtuesi duhet të mbyllë tubimin.”.
Ashtu siç ka ndodhur në shumicën dërrmuese të protestave të opozitës nga 2013-a e këtej, Policia e Prokuroria fillimisht janë marrë me organizatorët. Më saktë, me personin që ka bërë kërkesën zyrtare për zhvillimin e protestës. Por këtë herë, këto institucione, kanë zgjedhur rrugë tjetër. Po merren me “të vegjlit”, me protestuesit e thjeshtë nga rrethet, të cilët nën trysninë e halleve të përditshme, skamjes e lodhjes nga ajo, nuk u bie shumë në mend për ligjin.
Arrestimi i 15 protestuesve “të dhunshëm” sipas organeve ligjzbatuese, është një veprim që në prapavijë ka trembjen e “popullit opozitar”, në prag të protestës së 21 shkurtit të thirrur sërish nga opozita. Aq më shumë, kur kjo “vepër penale”, nis nga gjoba dhe kur mundësia e “prishjes së provave” apo “rrezikshmëria shoqërore” e të arrestuarve, nuk është argument për kufizimin maksimal të lirisë së tyre. E pas kësaj skeme nuk është e vështirë të mendohet se qendron vetë Edi Rama. Ai i druhet një ndezje më të madhe të protestës, nëse në listën e të proceduarve, akuzuarve apo ndaluarve do të ishin drejtues të opozitës, deputetë apo të zgjedhur. “Barcaletat” për institucione të pavarura, në shërbim të ligjit, rendit e sigurisë, rrëzohen si “kështjella rëre” në breg të detit.
Nga ana tjetër, prokuroria nuk po guxon të nis hetim për tejkalim të dhunës policore ndaj protestuesve. Dhunë është edhe hedhja në disproporcion e gazit lotsjellës tek një grusht protestuesish, të cilët shihet qartë edhe në video e foto që nuk bllokohen aspak nga policia teksa i drejtohen hyrjes së Kryeministrisë. Veç kësaj, drejtues e deputetë të opozitës flasin edhe për përdorim të lëndëve të rrezikshme, të miksuara me gazin lotsjellës. Askush nuk e pengon prokurorinë të nis një hetim edhe “kryesisht”, edhe nëse nuk ka asnjë denoncim zyrtar.
Ky dopio-standart i përdorur në rastin e kësaj proteste, e cila në fakt do të kujtohet vetëm për thyerjen e dy xhamave në hyrjen e Kryeministrisë dhe të një kërpurdhe plastike – mish i huaj para ndërtesës, është i dëmshëm dhe i rrezikshëm. Veprimi dhe mosveprimi i uniformavu blu gjatë protestës, duhet të jetë objekt i punës së prokurorisë. Të paktën, të njoftohej nisja e një hetimi nga prokuroria, në rastin më të keq, nga SHÇBA-ja. E nëse nuk do të ndodh kështu deri me 21 shkurt, në shesh do të jenë më të shumtë protestuesit. /Shënim i ShkodraWeb/