Prej ditësh, pas dorëzimit të mandateve të opozitës, ka nisur një betejë e pazakontë mediatike në mes palëve. Rama dhe Basha, madje edhe Kryemadhi janë vënë në qendër të “kazanëve” mediatikë por jashtë Shqipërisë. “Kazanët” tanë thjeshtë po bëjnë ritransmetimin apo rishpërndarjen e shqipëruar të “kazanëve” ndërkombëtarë, sidomos atyre italianë. Sepse sigurisht, ndjeshmëria më e lartë është aty ku edhe afërsia gjeografike dhe lidhjet tradicionale janë më të mëdha. Por do të kalohet gradualisht edhe në “kazanë” të tjerë përtej atyre italianë…
Po shfrytëzohet media e shkruar, ajo televizive por edhe versioni i tyre në portale. Akuzat dhe kundërakuzat janë të njëjta me ato të “kazanëve” shqiptarë, por impakti pritet të jetë i ndryshëm. Ndërsa brenda Shqipërisë situata konsiderohet në një impas pa zgjidhje, me shpërhapjen mediatike jashtë vendit, synohet krijimi i kauzave të besueshme nga palët politike. Përmes këtij “sensibilizimi”, kërkohen aleatë të rinj, mundësisht në ragjne sa më të larta qeveritare e politike të vendeve respektive por edhe Europës së Bashkuar.
Është kjo në tjetër provë se zgjidhja e mundshme e ngërçit të rëndë- nëse do të ketë zgjidhje, pritet të vijë nga jashtë kufijve dhe “kazanët” ndërkombëtarë, janë vetëm hapi i parë i dukshëm. Akuzat janë të rënda, nisin nga trafiku i drogës, vrasja e munguar e kundërshtarëve politikë deri tek shitblerja e votës. Përmes këtyre “kazanëve” mediatikë ndërkombëtarë, ne po dalim cullak, me të gjitha problemet e hallet nga më të ndryshmet.
Nuk është e qartë se cila palë politike shqiptare do të luajë më mirë me “kazanët” mediatikë ndërkombëtare, natyrisht as se kush do të fitojë në kauzën e vet- nëse ka vend për fjalën “fitore”. Por një gjë është e sigurtë si drita e diellit: Situata aktuale në vend dhe shpërfaqja 4- kapakësh në “kazanët” mediatikë ndërkombëtarë, do të ketë pasojë të pashmangshme në rrugëtimin drejt BE-së. Sepse “kazanët” mediatike jashtë Shqipërisë, ndryshe nga “kazanët” tanë, jo vetëm besohen por edhe ndërtojnë opinione. E në sytë e atyre që duhet të marrin një vendim pët fatin e Shqipërisë, krijohen realitete të ndryshme në një amulli informacioni që burimin gjithsesi, e ka në rradhët e klasës sonë politike. Sipas gjasave, ky qershor do të mbahet mend vetëm për zgjedhjet vendore. Nëse do të zhvillohen por edhe nëse nuk do të ketë… /Nga Blerti DELIJA/