Nuk ishte shumë surprizë sot vendimi i gjykatës për të pranuar gjykimin e shkurtuar për Klement Balilin, apo siç njihet “Eskobarin e Ballkanit”. Këtë kërkesë, që në daljet e para publike, e kishte përsëritur edhe avokati i tij mbrojtës Theollori Sollaku, ish- prokuror i përgjithshëm i Republikës. Madje, shqiptarëve u ka mbetur në vesh termi “ekonomi gjyqësore” që Sollaku e përsëriste shpesh. Më troç, me “gjykimin e shkurtuar”, shteti shqiptar kursen ca para që mund të shkonin për më shumë prova e fakte për të pandehurin.
Me vendimin e sotëm të gjykatës, çështja fillon e mbaron me provat që janë mbledhur dhe janë para gjykatës. Madje, ky proces po ecën me shpejtësi drite. Me 12 mars pritet që prokuroria të japë pretencën e sipas gjasave, fundi i të njëjtit muaj do të na njohë edhe me vendimin e marrë nga drejtësia shqiptare për Balilin.
Në Kodin e Procedurës Penale, saktësohet se çfarë përfiton Balili nga vendimi i gjykatës për “gjykim të shkurtuar”. Në nenin 406, pika 1 e tij, thuhet se :” Kur jep vendim dënimi, gjykata e ul dënimin me burgim ose gjobë me një të tretën. Dënimi me burgim të përjetshëm zëvendësohet me njëzet e pesë vjet burgim.”. A ka nevojë për ndonjë koment? Nëse, e përsërisim, nëse do të shpallet fajtor, automatikisht i ulet një e treta e dënimit. Por ka edhe rrethana të tjera. Kur i’u dorëzua drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shettit Ardi Veliu afër një pularie të braktisur, Balili kishte bërë një marrëveshje. Kërkoi ti shënohej në proces- verbalin e ndalimit të tij se është vetëdorëzuar. E natyrisht, nga avokatët kjo shkresë do të përdoret si rrethanë lehtësuese. Pra, dënimi që do ti jepet (nëse do të shpallet fajtor) do të zbutet edhe nga rrethana e vetëdorëzimit. Më pas, do të hiqet 1/3 përfituar prej “gjykimit të shkurtuar”. Në vazhdimësi, do të ketë ndonjë qokë edhe nga Apeli apo edhe Gjykata e Lartë, siç ka ndodhur në raste të ngjashme “bobash”.
E vetmja pyetje që mund të ngrihet, duke dashur të bësh “avokatin e djallit”, është nëse kemi të bëjmë me një skenar të mirëmenduar dhe…a ishte “gjykimi i shkurtuar” pjesë e marrëveshjes së “vetëdorëzimit” të “Eskobarit të Ballkanit” me 15 janar?! /Nga Blerti DELIJA/