Dy vite pasi kryedemokrati Lulzim Basha vendosi që të mos e kandidonte në listat e Partisë Demokratike si deputete, ish-kryetarja e Kuvendit dhe një nga figurat më të rëndësishme të PD, Jozefina Topalli merr një detyrë të re.
Topalli është emëruar në një detyrë si eksperte e misionit të OSBE-së në Malin e Zi.
Ditën e sotme ajo ka nisur detyrën duke zhvilluar një takim me kryetaren e Komisionit Legjislativ, Marta Sçepanoviç dhe anëtaren Jovanka Laliçiç,-thuhet në njoftimin e Parlamentit të Malit të Zi.
Topalli vjen në këtë detyrë pas një karrierë të gjatë si deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe drejtuese e PD në qarkun Shkodër, poste që me vendosjen e Bashës në krye të PD, Topalli nuk i ka më.
Ajo njihet si një nga kritiket më të ashpra të kryedemokratit, dhe prej muajsh ajo ka qëndruar e paangazhuar në çështjet e politikës aktive.