FOTO/ Fasli Fakja, sulmuesi i talentuar i Vllaznisë së viteve ’80 që nuk ka marrë asnjë vlerësim…

Në Vllazninë e viteve ’80 ka patur një brez lojtarësh të talentuar duke filluar nga mbrojtësit e mirënjohur Hysen Zmijani, Hysen Dedja, Isak Pashaj, mesfushorët Luan Vukatana, Viktor Briza, Ferid Borshi, Ferid Rragami apo dhe sulmuesit Roland Luçi e Fasli Fakja.

Ky i fundit është një nga shënuesit më të mirë të kampionatit në ato vite dhe ka lënë një emër të mirë nga pas. Ka lindur në Shkodër më 8 janar 1963 dhe ka nisur futbollin në moshë të vogël dhe kuptohet që këtë lojë e kishte trashëgimi familjare ngaqë i ati, Bimo Fakja, ka qenë një nga futbollistët e spikatur të Vllaznisë kampione të viteve ’40.

Fasli Fakja luan në repartin e sulmit, një djalosh me një fizik të rregullt, i gjatë, i fortë, teknik. Një goditës i mirë i topit me këmbë por edhe me kokë. Ka fituar titullin kampion në vitin 1983 dhe Kupën e Republikës në vitin 1987.

Fillon të luajë rregullisht me ekipin e parë të Vllaznisë në sezonin 1982-83 ku u aktivizua në 13 ndeshje dhe shënoi 1 gol. Një sezon më vonë luan 16 ndeshje dhe shënon 2 gola ndërsa në sezonin 1984-85 në 22 ndeshje shënon 13 gola duke qenë edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit sëbashku me Arben Mingën e 17 Nëntorit.

Një arritje kjo e sulmuesi shkodran i cili pikërisht në këtë sezon do të demostronte formën më të mirë sportive. Në sezonin 1985-86 luan në 25 ndeshje me 6 gola të shënuar. Në sezonin 1986-87 kalon një moment jo të mirë për shkak të një dëmtimi dhe luan në vetëm 7 ndeshje, madje në disa prej tyre edhe si zëvendësues, megjithatë arriti të shënojë 2 gola.

Problemet për të kanë vazhduar edhe një sezon më vonë, ku aktivizohet shumë pak sepse pas arratisjes së futbollistëve Bërsheni e Hoxha në Greqi në tetor të vitit 1987, Fakja përjashtohet përgjithmonë nga futbollisti sëbashku me portierin Agim Maliqati. Megjithatë pas dy sezonesh mosaktivizimi, ai falet dhe rikthehet sërish të luajë për Vllazninë dhe në sezonin 1989-90 luan në 20 ndeshje duke shënuar 3 gola.

Në sezonin 1990-91 luan në 17 ndeshje dhe shënon 4 gola. Ky do të ishte sezoni i fundit për të me Vllazninë sepse vendos t’i japë fund karrierës si futbollist. Ka lënë prapa përshtypjet e një sulmues cilësor i cili kontribuoi jo pak në sukseset e Vllaznisë së viteve ’80, një ekip ndër më të mirët e historisë së tij.

Mjafton të përmendim një vlerësim të kolegut të tij Isak Pashaj, për të nxjerrë në pah aftësitë e tij, teksa thoshte: “Kam luajtur kundër sulmueseve më të mirë që ka pas ndonjëherë futbolli shqiptar por Fasli Fakjes nuk i afrohet asnjëri. Faslija është një nga perlat e sulmit shqiptar e më vjen keq që asnjëherë nuk është vlerësuar ashtu si duhet”. /Nga Gjergj KOLA/