Edhe pak ditë dhe të gjithë futemi në atmosferën e festave të fundvitit, Kishtlindjen dhe Vitin e Ri. I madh e i vogël e përjeton ndryshe këtë periudhë të vitit dhe natyrisht, të gjithë presin…dhuratën. Më të paduruarit janë fëmijët, ata për të cilët festat nuk mund të kuptohen pa dhurata. Të gjithë përpiqemi të bëjmë më të mirën e mundshme, por jo të gjithë kanë këtë mundësi. E ndër fëmijët më të veçantë, janë ata me aftësi ndryshe, vertetë special, nxënës të shkollës speciale “13 Dhjetori” në Shkodës. Ata kanë dashur të bëjnë publike kërkesat e tyre, ndoshta në pamundësi për t’ua plotësuar prindërit apo të afërmit e tyre.
Kërkesat janë nga më të ndryshmet. Nisin nga një celular që nëna të mund të flasë me motrën në Itali deri tek tableti për të shijuar fëmijërinë si të gjithë bashkëmoshatarët. “Të dhurosh, nuk varfërohesh asnjëherë” e kjo vlen për të gjithë. Të paktën në këtë fundvit, në këtë periudhë festash, të tregojmë se jo jemi vetëm më të mirë, por edhe falenderues për Zotin që na jep mundësi të dhurojmë. Nuk keni mundësi të dhuroni diçka, sado të vogël? Nuk ka problem, këta fëmijë do ju presin me buzëqeshje. Do të kënaqen edhe sikur ti ledhatoni kokën, faqet, ti ktheni buzëqeshjen me një buzëqeshje.
Më poshtë, keni letrat me dëshirat e tyre. Kush ka mundësi, mund t’ua plotësojë. Kush nuk ka mundësi, të paktën ti urojë! /ShkodraWeb/