Gjen kohë të marrë pjesë në përurime rrugësh nga ARRSH në qarkun e Shkodrës ku është zgjedhur deputet, por jo të shpërndajë personalisht çantat për fëmijët në nisje të vitit të ri shkollor. Edhe këtë herë, Ditmir Bushati- ministër i jashtëm por më herët edhe deputet i Qarkut Shkodër, ka vijuar traditën e nisur të postimit të fotove për aktivitete ku nuk është i pranishëm fizikisht dhe të tjerë i kryejnë për llogari të tij. Para disa ditëve, postoi në faqen e tij në Facebook disa foto të shkollës së Velipojës, duke marrë totalisht autorësinë dhe duke mos “ia ditur për nder” kompanisë Albtiefbau financimin 300 mijë dollarë për shkollën “Nikoll Zagorjani”. Madje, foli edhe përdonatorë të huaj. Postimi asokohe u bë me urgjencë, pasi kryetarja e Bashkisë Shkodër bëri një inspektim të punimeve në të njëjtën shkollë, personalisht dhe e shoqëruar nga inxhinierët e kompanisë zbatuese. Pa folur për fotot e postuara, të cilat ishin shkarkuar nga interneti dhe nuk tregonin realitetin e shkollës në Velipojë, por gjendjen e saj në 2005- ën.
Sot e njëjta skemë. Pasi ka parë një video ku kryetarja e Bashkisë Voltana Ademi, bashkë me Shoqatën e Jetimëve dhe fondacionin “Besa” nga Gjermania shpërndanin disa canta dhe mjete mësimore në sallën e Këshillit Bashkiak Shkodër, në faqen zyrtare të Ditmir Bushatit u shfaqën dy foto dhe një shënim si më poshtë: “
“Në këtë fillim viti shkollor pata kënaqësinë të jap një kontribut modest për nxënësit e shkollave “Azem Hajdari” dhe “Salo Halili” në #Shkodër. Urimet dhe këshillat e mia përcillen përzemërsisht për ta! ?? #ShqipëriaeGjeneratësTjetër #EgjithëvëmendjatekNJERËZIT.”. Ndërsa mediave, u është dhënë edhe numri i çantave të shpërndara, plot 500 por që normalisht nuk munden të verifikohen.
Si 500, 50 apo edhe 10 çanta, çdo veprim i tillë duhet vlerësuar. Ajo që lë shije pak të keqe është se Bushati mesa duket e bën gjithçka për konsum publik, përmes Facebook dhe duke vepruar pasi ka parë ndonjë postim të kryetares së Bashkisë Shkodër. Është e qartë që dikush/disa në Shkodër veprojnë politikisht në emër të shefit socialist të qarkut, pa qënë ai fizikisht këtu. Sepse po të jetë, si në rastin e përurimeve të ARRSH-së, mediat do të thirreshin për ta pasqyruar aktivitetin… Meqë jemi në vit elektoral, mund të aludohet për shumëçka. Edhe pse në fakt është përfolur që përballë Ademit në 2019- ën mund të jetë një kolege e Bushatit, por jo vetë ai. Aq më shumë, kur marrëdhënien e ministrit të jashtëm dhe numrit 2 të qeverisë, nga brenda PS-së, nuk përcillen si më të mirat e mundshme. /Sokol N. Sokoli/