Filmi “Sofia” i regjisorit Eduart Grishaj “rrëmben” dy çmime në Festivalin e Filmit në Londër…

Një lajm i mirë për regjisorin Eduart Grishaj por edhe kinematografinë shqiptare. Filmi “Sofia” i regjisorit të talentuar nga Malësia e Madhe, ka marrë jo një por dy çmime në Falcon International Film Festival në Londër.

Lajmin e ka dhënë në rrjetet sociale vetë regjisori Grishaj, duke e shoqëruar me disa rreshta.


“Filmi im i ri “Sofia” (i cili ka vetëm pak javë që ka përfunduar) është vlerësuar me dy çmime në festivalin Falcon International Film Festival në Londër @fifflondon (“Filmi më i mirë” dhe “Regjisori më i mirë”).

Merita është e një ekipi profesionistësh me të cilin pata fatin të ndaj një eksperience shumë të bukur kinematografike, përvojë që shumë shpejt shpresoj ta ndaj me të gjithë ju në kinema.”, shkruan regjisori Grishaj.

Eduart Grishaj ka disa vite që spikat me produksionet e tij si pjesë e Top Channel, ndërsa tashmë ai ka shpalosur një tjetër dimension në artin e kinematografisë, duke prodhuar edhe filma, siç është “Sofia”, i cili i sapodalë ka rrëmbyer dy çmime në Londër. /ShkodraWeb/