Erozioni është shkaku i lëvizjes së shkëmbit që ra mbi automjetin në aksin rrugor Balldre-Torovicë e që i mori jetën tre personave pjesëtar të së njëjtës familje. Në këtë konkluzion kanë dalë ekspertet e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar pas verifikimeve të kryera në terren. Inxhnieri Gjeologjik Vladimor Kola, thotë se në të dy anët e malit, si nga pjesa e Torovicës ashtu dhe nga zona e Kakarriqit ka shkëmbinj të tjerë që përbëjnë rrezik për zonën e banuar.
“Ai nuk është masivi i parë që lëviz, por ka qenë ndër më të madhenjt. Lëvizja e atij guri ka ndodhur për shkak të erozionit. Shkak i erozionit kanë qenë edhe reshjet e rëna. Pas verifikimev enë zonë dolëm në përfundimin se janë edhe dy masiv që janë rrezik edhe për një familje. Duhet parë pjesa e majës veçanërisht pasi aty masivi merr një shpejtësi të madhe.”, thotë inxhinier Kola.
Kola shpjegon dy mënyrat e ndërhyrjes për të shmangur rrezikun që sipas tij nuk janë me shumë kosto.
“Në të tilla raste pas verifikimit duhen marrë masa inxhinierike që janë në varësi të masivit. Në të dyja akset e rrugës është problem erozioni i cili ndihmohet edhe nga mungesa e bimësisë”, thotë inxhinier Kola.
Ngjarja tragjike ndodhi dy ditë më parë në aksin rrugor Torovicë-Malecaj në afërsi të Lezhës ku rënia e një shkëmbi nga lartësia e malit zuri poshtë një automjet tip fuoristradë që po kalonte aty ku për pasojë humbën jetën Edmond dhe Valentin Zefi ndërsa viktima e tretë, Alda Gjergji, 21-vjeçe është bashkëshortja e njërit prej tyre.
Ajo që e bën edhe më tragjike këtë ngjarje është se gruaja e cila humbi jetën ishte shtatzënë në muajin e shtatë. Ajo po udhëtonte në shoqërinë e bashkëshortit dhe vëllait të tij në drejtim të prindërve të saj në një fshat aty pranë kur mbi automjetin e tyre ra një shkëmb i përmasave të mëdha.