Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shkuar sot në Thumanë aty ku janë regjistruar edhe dëmet më të mëdha nga tërmeti dhe numri më i madh i jetëve të humbura. Për Bashën shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme nga qeveria duhet shfrytëzuar.
“Sot u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Më mirë vonë sesa hiç dhe tani është momenti që gjendja e jashtëzakonshme të mos mbetet në letër, llafe dhe shfaqje. Diçka e vogël të ndodh dhe të turbullon gjithë ditën, në këtë rast qeveria duhet të marrë masa që të jetë pranë tyre”, tha Basha.
Më tej kryedemokrati u shpreh se familjet duhet të akomodohen në apartamente dhe të ndihmohen financiarisht për një periudhë 6 mujore.
“Prioritetet janë të parat kërkimi dhe nxjerrja e viktimave nga rrënojat dhe për këtë duhet një mbështetje totale. Dhjetëra e qindra familje kanë nevojë për mbështetje. Natën e parë është e kuptueshme, por nuk mund të qëndrojnë në çadra. Moti dhe kushtet janë të papranueshme. Menjëherë duhet bërë vendosja e tyre në apartamente dhe mbështetja e tyre për një afat 6 mujor, që gjendja e jashtëzakonshme i jep mundësi qeverisë që të alokojë fonde buxhetore që ta bëjë këtë të mundur”, tha Basha.