“Bëmat” e gjyqtares që liroi sot anëtarin e bandës së Durrësit Endrit Dokle…

Vendimi për të liruar ish-kapon e njërës nga bandave famëkeqe të Durrësit, Endrit Dokle, ka firmën e gjyqtares Enkelejda Hoxha. Duke u kthyer pas në kohë shohim se ky nuk është vendimi i parë që ajo ka marrë në favor të personave me precedentë penalë dhe që konsiderohen të rrezikshëm.


Enkelejda Hoxha ka liruar nga burgu Ilir Pajën një vit para se atij t’i përfundonte dënimi. Ai ka qenë i njohur për arratisjet spektakolare nga burgjet italiane dhe gjermane dhe për këtë njihet me nofkën “UFO”. Në vitin 2008, Paja tentoi të ek.zekutonte efektivin e policisë që shkoi ta arrestonte pranë farmacisë 10 në Tiranë.

KLD kërkoi verifikim për lirimin e tij. Ministri i Drejtësisë në atë kohë, Nasip Naço kërkoi shkarkimin e saj por në një mbledhje me dyer të mbyllura kërkesa u ndryshua dhe ndaj saj u mor thjeshtë një masë paralajmëruese.

Një tjetër vr.asës i liruar nga gjyqtarja Hoxha është dhe Genc Tafili. Ky i fundit vr.au në vitin 2000 kreun e policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari. Për këtë ai u dënua me 25 vite burg por u lirua vetëm pas 17 vitesh. Lirimi i tij u konsiderua i paligjshëm pasi ligji e parashikon që nga lirimi me kusht nuk mund të përfitojnë personat e dënuar për veprën penale “vr.asje në rrethana të tjera cilësuese”, vepër për të cilën ishte dënuar dhe Tafili.

Sërish për gjyqtaren u kërkua verifikimi dhe shkarkimi. Presidenti Ilir Meta urdhëroi Inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të verifikonte rastin ndërsa Ministrja Etilda Gjonaj kërkoi shkarkimin e gjyqtares. Megjithatë ajo shpëtoi sërish me një masë disiplinore.

Një rast i njohur ku është përfshirë gjyqtarja Enkelejda Hoxha është dhe ai i Rexhep Rrajës. Ajo fillimisht firmosi arrestimin e tij. Më vonë Rraja u lirua.

Por ai që mund të konsiderohet vendimi më skandaloz i kësaj gjyqtareje është ai i 3 nëntorit të 2017. Kësaj here gjyqtarja e rrethit gjyqësor të Krujës nëpërmjet një vendimi, vendosi njohjen e vjetërsisë në punë të Marjana Prenucas, një qytetareje , duke i njohur vitet e punës që në moshën 5-vjeçare. /opinion/