Vllaznia ka në gjirin e vet golashënuesen më të mirë në botë, Megi Doçi fituese për vitin e dytë rradhazi…

Pasditen e djeshme ka marrë një tjetër lajm të gëzuar. Shoqata që merret me studimin e kampionateve të femrave në mbarë botën, e ka renditur atë në vendin e parë falë 85 golave që ka shënuar gjatë vitit 2019. Megi Doçi, futbollistja e Vllaznisë dhe e kombëtares shqiptare ndjehet e lumtur për këtë gjë, por nga ana tjetër, mendon se një sukses i tillë nuk është vetëm personal, pasi i takon edhe Vllaznisë, kombëtares dhe futbollit të femrave në Shqipëri.

Doçi në një intervistë për “Shkodra Sport” ka rrëfyer emocionet që ka përjetuar kur ka mësuar këtë lajm dhe nga ana tjetër, shpreh edhe dëshirën, pse jo të jetë edhe vitin e ardhshëm sërish në të njëjtin podium. Ja si është shprehur ajo në intervistën për “Shkodra Sport”:


Megi, urime për titullin e dytë si golashënuesja më e mirë në botë…

Shumë faleminderit.

Një kënaqësi e madhe kjo në aspektin personal?

Padyshim, më bën të ndihem krenare për atë çfarë kam arritur.

Nga 85 golat që keni shënuar gjatë vitit 2019, cili është goli që mbani më shumë në mend?

Golat e bukur dhe të rëndësishëm kanë qenë disa por unë do të veçoja atë që kam realizuar me 11-metërsh në ndeshjen e tretë në grup, me të cilin i dhashë kualifimin historik Vllaznisë për në turin e dytë të Ligës së Kampioneve.

Keni triumfuar në një garë me futbollisten e Barcelonës me të cilin e keni mundur me një gol. Përbën një emocion më shumë kjo?

Kemi qenë në distancë kur sheh renditjen dhe kur mëson se ke lënë në vend të dytë një futbolliste me shumë emër si Kristina Freda, kuptohet që emocionet shtohen dhe vlera e këtij titulli simbolik shtohet edhe më tepër. Por nga ana tjetër, kjo është një shtysë që të punoj edhe më shumë në të ardhmen.

Kujt ia dedikon këto suksese?

Në rradhë të parë familjes që është mbështetja ime e madhe, por edhe ekipit sepse pa mbështetjen e tij nuk do t’i kisha arritur këto suksese. Titulli shkon edhe per Vllaznine, kombetaren por edhe per futbollin shqiptar te femrave.

U bën dy vite rresht që shpallesh golashënuesja më e mirë në botë. Meqë janë dy, mund të bëhen edhe tre vitin e ardhshëm?

Këto çmime të bëjnë të ndjehesh mirë dhe me punu ma shumë dhe për të arritur më lart. Dëshira dhe vullneti nuk më mungojnë dhe pse jo, tre vite rresht golashënuesja më e mirë në botë, do të ishte diçka fantastike.

 ABCOM ║ VODAFONE