Banorët e zonës së Thethit denoncojnë se prej 24 orësh janë pa ujë të pijshëm, rreth 30 familje. Ata akuzojnë bashkinë e qytetit verior se u ka shkëputur lidhjet nga ujësjellësi i vjetër që furnizoheshin me ujë, ndërsa nuk ka bërë plotësisht lidhjet e reja nga ujësjellësi që është ndërtuar para dy vitesh.
Banorët kërkojnë që të lejohet edhe lidhja nga ujësjellësi i vjetër, pasi ofron më shumë garanci për furnizim se ai që është ndërtuar tani, pasi rrjeti i shpërndarjes ka probleme.
E gjithë situata sipas tyre ka sjellë probleme, pasi ndodhen në sezonin turistik dhe fluksi drejt Thethit është i madh.
Ndoc Gjeçaj, pronari i një bujtine në Theth shprehet se bashkia e Shkodrës u ka ndërprerë lidhjet nga ujësjellësi i vjetër duke u lejuar lidhjet vetëm te i riu, por rrjeti, sipas tyre nuk është përfunduar.
“Bashkia dje preu të gjitha lidhjet nga ujësjellësi i vjetër që ne vetë e kemi ndërtuar dhe mirëmbajtur prej 35 vitesh.
Para dy vitesh u ndërtua ujësjellësi i ri me kontributet e banorëve dhe të BERZH, ndërsa bashkia dje preu lidhjet vjetra duke kërkuar që të furnizohemi nga ujësjellësi i ri.
Por rrjeti nuk ka përfunduar plotësisht, ujë nuk kemi në bujtina, ndërsa bashkia na ndalon furnizimin nga ujësjellësi i vjetër.
Në bujtinën time ndodhen disa turistë, ndërsa gjendja nuk është aspak normale, pasi në kulmin e sezonit bashkia vendos të na heqë ujin e pijshëm pa njoftim.
Tentova të komunikoj me kryetaren e bashkisë së Shkodrës dhe n/kryetarin, por nuk më kanë hapur telefonin, i vetmi që është përgjigjur ka qenë Bardh Spahia.
Kërkoj që të merren masa dhe të furnizohemi me ujë sa më shpejt, pasi është skandal që të jesh në Theth dhe të mos kesh ujë të pijshëm.
Ne duam kontratat për ujin që e kemi nxjerr vete sepse është kulmi i sezonin turistik dhe na ndërpritet uji pa asnjë njoftim, duke gënjyer se është lidhje e paligjshme” deklaroi ai.
Ndërkohë që bashkia e Shkodrës njofton në Facebook se persona të papërgjegjshëm kanë dëmtuar rrjetin e ujësjellësit duke lene banoret pa uje.
Sipas bashkisë, gjatë ditëve të fundit persona të papërgjegjshëm kanë ndërhyrë në mënyrë të paligjshme te pika marrëse e ujit duke dëmtuar pusetën kryesore të furnizimit të rezervuarit të ri dhe rrjetin shpërndarës të tij.
“Pasi bëmë të mundur të furnizojmë me ujë të pijshëm zonën turistike të Rrjollit jemi zhvendosur në një tjetër zonë turistike, në atë të Thethit, ku problematika ishte e njëjtë. Pasi ndërpremë lidhjet e paligjshme arritëm të furnizojmë pa problem të gjithë Thethin.
Gjatë ditëve të fundit persona të papërgjegjshëm kanë ndërhyrë në mënyrë të paligjshme te pika marrëse e ujit duke dëmtuar pusetën kryesore të furnizimit të rezervuarit të ri dhe rrjetin shpërndarës të tij.
Sot grupi i taskforcës i UKSH ka konstatuar dhe ka shkëputur disa lidhje të jashtligjshme që kanë dëmtuar furnizimin e rregullt me ujë për banorët e Thethit si dhe kanë marrë furnizimin me ujë në mënyrë abuzive.
Për rastet e evidentuara është bërë njoftimi pranë organeve përgjegjëse për ndjekjen e peocedurave të mëtejshme sipas ligjit.
Çdo familje dhe bisnes është kontaktuar nga grupi i taskforcës duke u ofruar mundësinë e lidhjes së rregullt me ujësjellësin dhe vendosjen e matësave për rreth 40 biznese dhe familje, duke lidhur kontrata të rregullta me to” deklaron bashkia e Shkodrës’ thuhet ne njoftim. /Shqiptarja.com/