Balla i ‘tërheq’ veshin kryebashkiakut të LSI-së në Cërrik: Mos mbaj në punë njerëz që rrinë kot

Në vijim të turit të llogaridhënies publike të Qeverisë, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla së bashku me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u ndalën në qytetin e Cërrikut. Të shoqëruar nga disa zëvendësministra dhe drejtues qendrorë institucionesh ato iu përgjigjën banorëve që kërkuan llogari për hallet që i shqetësojnë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të disa banorëve, të cilët denoncuan raste flagrante në administratën e Bashkisë Cërrik, Balla deklaroi se reforma administrative territoriale nuk u bë për të fryrë administratën e Bashkisë me militantë partie, por për ta reduktuar atë nga njerëz që rrinë gjithë ditën kot e që marrin rrogën në bashki pa bërë asnjë punë.

“Dua t’i tërheq veshin Kryetarit të Bashkisë Cërrik jo pse është i LSI-së, sepse aty ku është zgjedhur ka marrë mbështetjen tonë tre vite më parë, mbështetjen e shumicës së popullit të Cërrikut. Dhe ne duam të bashkëpunojmë në shërbim të popullit të shkëlqyer të Cërrikut. Por, dua t’i kujtoj se reforma administrative territoriale nuk u bë për të fryrë administratën e Bashkisë me militantë partie, por për ta reduktuar atë nga njerëz që rrinë gjithë ditën kot e që marrin rrogën në bashki pa bërë asnjë punë. Fakti që bashkia e Cërrikut e harxhon buxhetin e vet në pjesën më të madhe për paga, i ul kësaj Bashkie kapacitetin konkurues dhe bashkëfinancues me fondin e zhvillimit të rajoneve, ku bashkëfinancimi është një kriter themelor.”/shqiptarja/