Nga Blerti DELIJA
Në mes të kryeqytetit, në mes të ditës një i ri 23- vjeçar nuk ka frikë të levizë me pistoletë në brez. Madje, e nxjerr dhe qëllon. Fillimisht një vajzë 21- vjeçare dhe më pas edhe veten. Akoma nuk është e qartë në emër të dashurisë së mohuar apo xhelozisë.
Ariela 21- vjeçare, sipas të njohurëve një studente e mirë, lë bosh një vend në auditor. Aldoseni 23- vjeçar, po lufton për ti mbijetuar plagës që i dha vetes me një njëjtën armë që flijoi mbase dashurinë e jetës së tij. Do të doja të ishte një Romeo dhe Zhuljetë, por nuk është as Otello dhe Desdemonë. Është mirëfilli një prodhim i shoqërisë tonë, një “made in Albania”.
Prej vitesh tashmë, të dhënë pas përditshmërisë të mbushur me halle vrapojmë për të siguruar mbijetesën. Ndalemi vetëm kur dëgjojmë ngjarje të tilla të rënda dhe përpiqemi të reflektojmë. Reflektojmë, por pasi kemi humbur jetë njerëzore. Nuk e di nëse është perceptim individual, por me keqardhje e pohoj për të disatën herë se shoqëria jonë po humbet nën peshën e dhunës verbale e fizike. S’ them dot se frymëzimi kryesor vjen nga politika e përcjellë në ekranet tona, por edhe ajo ka përgjegjësinë e saj.
Nuk besoj se Aldoseni mund të klasifikohet tek “vagabondët me 8 klasë shkollë” që mbajnë armë për të rënë në sy. Ai është i shkolluar, besoj me një kulturë dhe formim të kënaqshëm. Por nuk hezitoi në një moment të sigurojë një armë, të vrasë e madje atë që e konsideronte dashurinë e tij të jetës. Alarmi duhet të jetë shumë i lartë: Objekt e subjekt i dhunës tashmë janë edhe ata që nesër mund ti konsiderojmë si intelektualët tanë. E pasi ngjarja ka marrë përmasa tragjike, dalin detaje shokuese. Shumë e paskan ditur se Ariela dhe Aldoseni kanë patur mosmarrëveshje, madje në mes të oborrit të shkollës. E vështirë të besohet se çdë gjë është konsumuar brenda pak orëve e ditëve. Pa më të voglin dyshim Ariela duhet të ketë folur të paktën me ndonjë shoqe, ashtu siç edhe Aldoseni me ndonjë shok. Dhe të gjithë kanë heshtur, askush nuk është përpjekur t’i japë zë për të parandaluar atë që sot ndodhi. Po ashtu, të njëjtët shokë flasin për një raport normal në mes Arieles dhe Aldosenit deri në një moment të caktuar. Pra nuk është diçka e çastit, por e mirëmenduar pse jo, edhe e konsultuar…. Vlen të përmendet edhe reagimi (deri diku i ligjshëm) i të afërmëve të Arielës sapo mbërritën në morg ku gjetën vajzën e tyre pa jetë: “Ai që e bëri do ta paguajë…”. A mund të jetë kjo një thirrje vetëgjyqësie, një mungesë besimi ndaj shtetit?!
E për të folur për shtetin, për “Policinë që duam”. Besoj se janë të ndërgjegjshëm se dhuna po bën kërdinë në shoqërinë tonë. Duke nisur nga familja deri tek rrugët ku ne ecim çdo ditë. Është shumë e rëndesishme të luftohet ndaj drogës. Por ndaluni pak e mendoni. Pas pak viteve, nuk do të jetë më problem vetiu sepse dhuna po na vret edhe përdoruesit potencial! E di, që është humor i zi, por këto lajme të trishta të dielave rëndojnë shumë përditshmërinë e secilit edhe pse nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen që ndodh qindra kilometra larg. E sa për “kronikë”, pak orë përpara një tjetër krim, makabër, brenda familjes. Nënë e bir të vrarë, më pas të djegur për të humbur gjurmët. Policia dyshon si autorë të afërm të tyre… Po e mbyll këtu!