Nga Blerti DELIJA
Gjykata e Krimeve të Rënda ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për shtyrjen me 3 muaj të hetimit për ish- minstrin e Brendshëm Saimir Tahiri. 3 muaj nuk i kanë mjaftuar organit të Akuzës për të çuar deri në fund zbardhjen e plotë të pozicionit të Tahirit përballë akuzave për trafik ndërkombëtar të drogës. Vendimi i Gjykatës vjen në të njëjtën ditë kur Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku në një takim me Prokurorin e Krimeve të Rënda Hajdarmataj, i konfirmoi mbështetjen duke e nxitur të vijojë hetimet për çështjet e krimit dhe korrupsionit.
Vendimi përkon edhe me ditët e fundit të janarit, kur u tha se do të jetë rradha e “peshqve të mëdhenj”. Deri tani nuk ka ndodhur asgjë, edhe pse ndër sponsorizuesit e “peshqve të mëdhenj të janarit” ishte edhe shefi i diplomacisë amerikane në Tiranë Donald Lu. U duk se deklarata e Lu për “asistencë të FBI në hetimin edhe të cështjes Tahiri” shkonte në linjën e gjuetisë së “peshqve të mëdhenj”. Në fakt, i vetmi “peshk i madh” që edhe ai nuk po bie dot në “rrjetën e ligjit”, deri tani është vetëm Tahiri.
Si mund të kuptohet zgjatja me 3 muaj e hetimit ndaj Tahirit? Realisht, varet se nga cili kënvështrim e sheh. Përkrahësit e ish- ministrit të Brendshëm mund të këndojnë “fitore”: Pas urgjencës së Prokurorisë për ti vënë prangat, edhe pas 3 muajve hetime, organi i Akuzës nuk guxoi të kërkojë sërish arrestimin, siç u aludua. Ata që presin me “dëshirë” arrestimin e Tahirit mund të “ngushllohen”: Përgjime vijojnë të dalin, por prokurorët duan të kopsisin dosjen para se ta dërgojnë në gjykatë për gjykim. Besoj se në mes ketyre dy linjave, nuk ka hapësirë për një të tretë…përveç rastit se kemi të bëjmë me një skemë.
Edhe pak ditë na ndajnë nga 27 janari, protesta ku opozita është investuar ndjeshëm. Nësë Prokuroria dhe Gjykata nuk do të ishin në një linjë për zgjatjen e hetimit të Tahirit, opozita do të kishte një kauzë edhe më të fortë në protestën e saj. Pra, akuzat për kapje të drejtësisë do të kishin një provë të fortë në dorën e opozitës.
E kam thënë edhe më herët se fati i Tahirit është paracaktuar. Në fakt, çdo gjë u zbulua në intervistën e ish- ministrit në “Opinion”. Për ata që kanë veshë e sy funksionalë, Tahiri la të kuptohet se është vështirë të arrestohet edhe pse është “peshk i madh”. Nga ana tjetër, precedenti i tij në Kuvend, nxiti mazhorancën të propozojë ndryshime në procedurën për kërkimin e arrestimit të një deputeti nga Prokuroria, duke kërkuar prova, më shumë prova. E thënë ndryshe, klasa politike kërkon një “parzmore” përballë “drejtësisë” së re që pritet të lindë.
Në Shkodër, ata që merren me gjueti peshku, e dinë se kush e ka kohën në janar. Maksimumi, me stilin “me të therur”, mund të mbesë në grep vetëm ndonjë karas. E karasi nuk hyn tek “peshqit e mëdhenj”. Aq më shumë që ti drejtohesh dikujt me termin “karas”, në Shkodër ja dinë kuptimin…