Astrit Patozi është një nga politikanët që artikulimin e tij publik në shumicën e rasteve, e ka bazuar mbi moralin në politikë. Duke u nisur nga “pushteti i katërt”, Patozi pati një karrierë të lavdërueshme politike, duke u ngjitur deri në krye të PD-së dhe Grupit të saj Parlamentar, duke patur mbi krye vetëm Berishën.
Mbase edhe për shkak të qëndrimit larg posteve ekzekutive të qeverisjes, Patozi nuk është përfolur asnjëherë për afera korruptive, nepotizëm apo fenomene të tjera “të zakonshme” për politikën tonë.
“Eleminimi” politik i tij nga Partia Demokratike, përmes lënies jashtë listës së deputetëve në 2017-ën, natyrshëm për një politikan profesionist dhe jo pa kontribute, do të kishte reagim. Ashtu siç ndodhi edhe me të tjerë ish- “senatorë” të PD-së që u lanë apo qëndruan vetë jashtë listave të deputetëve duke kërkuar kryesimin e tyre në qarqe, edhe Patozi foli publikisht me në “kreshendo” të mirëmenduar, por edhe duke ruajtur norma morale.
Sot Astrit Patozi po zyrtarizon një forcë të re politike. Në një sistem pluralist, secili ka të drejtë të themelojë një alternativë. Me eksperiencën e akumuluar dhe me moshën relativisht rë te, është krejt normale që të mbledhë rreth vetes të gjithë ata që janë të pakënaqur nga PD-ja. Në një këndvështrim, lëvizja e tij i shërben të djathtës. Në një të ardhme, nëse do të ketë hapësirën e tij në këtë spektër (testuar përmes zgjedhjeve), fluksi i votave të Patozit mund të bashkohet me ato të Bashës, tashmë si partnerë të mundshëm.
Në këtë moment, Patozi po nxjerr në pah anën e tij ndoshta më të keqe, hakmarrjen ndaj Bashës por edhe vetë PD-së. Ish- numri 2 i demokratëve, tregon haptas nostalgji për PD-në. Në shembullin e Pollos, ai vendosi mbiemrin “demokratike” në partinë e tij të re. Qartas tregon se kërkon “të thithë” anëtarësi pikërisht nga ky subjekt, për të mos thënë se kërkon ta dëmtojë atë. Kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër, lidhet me momentin e legalizimit të “Bindja Demokratike”.
Është koha kur PD ka dalë nga sistemi dhe natyrisht, kërkohet një “zëvendësues” sa më i ngjashëm. Në momentet e fundit kur PD dhe opozita zyrtarizojnë pamundësinë ligjore të përfshirjes në zgjedhjet e 30 qershorit, Patozi shfaqet në fushën e lojës, duke i bërë një nder shumë të madh Edi Ramës. Ligjërisht, nuk e di si mund të funksionojë, por regjistrimi paralel i partisë në gjykatë dhe në KQZ në minutat e fundit të afatit ligjor për pjesëmarrje në zgjedhje, nuk mund të krijojë përshtypje tjetër veç kësaj.
Në synimet e Patozit, regjistrimi i partisë së tij me 24, 25 apo 30 prill, nuk do të bënte ndonjë diferencë. Ose, regjistrimi i saj në mars, prill, maj por jo fiks me 23 prill. Kjo është hakmarrje e qartë e Patozit për Bashën e PD-në dhe një bonus që ai i jep Ramës në legjitimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Nëse Grupi Parlamentar në Kuvend ose “opozita e re” nuk ka asnjë legjitimitet politik, “Bindja Demokratike”, me firmë e me vulë, me pjesëmarrjen e ndoshta disa figurave historike të PD-së, i jep Ramës një bonus të stërmadh, të cilin sipas gjasave mund…t’ia shpërblejë Patozit…
Ndoshta nuk mund të flitet për shpërblim monetar, por shpërblim politik pse jo. Rama, edhe nëse ka mundësi ti fitojë, nuk mund ti marrë të gjitha bashkitë. Disa, mbase edhe më shumë se 15 që janë aktualisht, mund t’ia dhurojë opozitës, ata që sot po nis të themelojë Astrit Patozi. E në fakt, nëse ndodh kështu, ky është dëmi më i madh dhe i pariparueshëm që Patozi do të bënte jo Lulzim Bashës, por partisë që e bëri atë që është sot, Partisë Demokratike. “Hakmarrja serviret si pjatë e ftohtë”, është një postulat që vlen edhe për politikën! /Shënim i ShkodraWeb/