
Edhe në Shkodër, lista e PD-së po çahet. Në fakt, nuk bëhet fjalë për drejtues apo antarë të PD-së por për aleatë të përfshirë në listat shumëemërore, madje në vendet e fundit të saj në nivel qarku. KQZ ka njoftuar se kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit dy kandidatë nga lista e Shkodrës. Bëhet fjalë për dy të fundit në listën me 18 emra të depozituar në KQZ në zgjedhjet e 2017-ës. Kështu, ka kërkuar mandatin e deputetit numri 17- të i listës Nikolin Staka, i cili është kryetar i Partisë Levizja Demokratike për Ndryshim. Në fakt, emri nuk kuprohet shumë qartë sepse në dokumentin e dorëzuar në KQZ ka shumë pak informacione dhe shumë gabime ortografike. Mësohet se Staka është i vitlindjes 1965, me arsim të lartë dhe bisnesmen.
Mandatin e deputetit është gati ta marrë edhe aleati tjetër i PD-së, Zef Shtjefni, i cili është kryetari i Partisë Ora e Shqipërisë. I fundit në listën e PD-së Shkodër, është i vitlindjes 1964, me profesion avokat. Më herët ka qenë zëvendëskryetar i Bashkisë Kamëz dhe zëvendësdrejtor i përgjithsëm i Qytetit “Studenti”. Pavarësisht se një ish- aleat i tyre si Nard Ndoka thotë se “ata që morën mandatet do të hanë turpin me bukë për disa javë”, meqenëse po bëhen gati të marrin mandatin në Shkodër, më e vlefshme mund të jetë një tjetër shprehje që përdoret në raste të ngjashme: u ka ra shi në kallamoq!