Rebusi i krijimit të qeverisë së re të Kosovës, tre muaj pas zgjedhjeve të parakohshme, bëhet mjaft i vështirë. Vështirësia themelore buron nga Kushtetuta e Kosovës, e cila përcakton qartë etapat që duhen ndjekur për mandatimin e kryeministrit, emërimin e tij dhe të ministrave në Kuvend.
Është e qartë se, pavarësisht se është fitues i zgjedhjeve politike në Kosovë, Albin Kurti nuk mund të marrë mandat për krijim qeverie nga presidenti Hashim Thaçi. Nëse lexohet Kushtetuta e Kosovës, kuptohet qartë se Vetëvendosja nuk plotëson deri tani të paktën, kriteret kushtetuese për të kërkuar/marrë mandatin për krijimin e qeverisë së re.
Në Kushtetutën e Kosovës, Neni 84, pika 14, e përcakton qartë se presidenti i Republikës “cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit”. Nuk duhen shumë aftësi për të kuptuar se Albin Kurti deri më sot, nuk ka 61 vona në Kuvend. Të paktën deri sa bashkë me Isa Mustafën e LDK-së të nënshkruajnë marrëveshje zyrtare ose të dalin publikisht se janë për formimin e një qeverie të përbashkët. Vetëm atëherë, Kurti mund të kërkojë dhe Thaçi mund t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë si kryeministër.
Neni i mësipërm, lidhur me numrat që duhen për formimin e qeverisë së re, përforcohet edhe me Nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës. Në pikën 1 të këtij neni, përcaktohet qartë se “pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.”. Është e qartë se barriera për të dhënë mandatin për formimin e qeverisë por edhe propozimin e kandidatit për kryeministër nga Presidenti tek Kuvendi, është numri 61 i deputetëve nga 120 që janë në total. Vetëm atëherë, pra kur të ketë mbështetjen e shumicës në Kuvend, “kandidati për kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.”. Kjo sanksionohet në pikën 2 të Nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës.
Duke lexuar këto nene të Kushtetutës së Kosovës, kuptohet lehtë se pse Kurti dhe VV-ja e tij nuk nxitohen shumë për të marrë mandatin nga Thaçi. Edhe në takimin e sotëm, sipas gjasave, Thaçi i ka kërkuar Kurtit që të provojë se ka shumicën e deputetëve në Kuvend që e mbështesin. Natyrisht, këtë nuk ka mundur ta provojë Kurti dhe sipas gjasave, Presidenti i ka kërkuar që brenda një afati, mbase edhe 48 orë (sepse kanë kaluar tre muaj nga zgjedhjet e parakohshme), ai të provojë se ka mbështetjen e të paktën 61 deputetëve. Deri tani, nuk ka asnjë marrëveshje zyrtare VV- LDK për qeverisë, sidomos pasi Kurti vendosi në krye të Kuvendit, edhe me votat e partisë së Isa Mustafës, Konjufcën e Vetëvendosja.
Pak para takimit me Thaçin, Albin Kurti provoi edhe një lëvizje tjetër, duke publikuar emrat e 5 ministrave nga VV-ja, duke i kërkuar edhe LDK-së të bëjë të njëjtën gjë. Përgjigja ishte vetëm heshtje dhe natyrisht, mesazhin e ka marrë edhe Thaçi: Dei më sot, VV-ja nuk ka numra për të krijuar qeveri në Kosovë.
Për hir të realitetit, Kushtetuta e Kosovës nuk përcakton afat se deri kur presidenti mund të presë për formimin e një shumice që mund të krijojë qeverinë e re. Si një ligj themeltar i shkruan nga shqiptarët, edhe Kushtetuta e Kosovës ka probleme në lidhje me kompetencat e mandatimet.
Presidenti i vendit mund të kërkojë kandidat tjetër për kryeministër nëse Kurti nuk ia del, vetëm “nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.”. Kjo sanksionohet në pikën 4 të Nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës.
Nëse nuk ka një marrëveshje VV- LDK, situata politike në Kosovë mund të bëhet kaotike. Kurti, si drejtues i partisë së parë në zgjedhje, nuk mund ti drejtohet Presidentit për të marrë mandat për formim qeverie sepse nuk ka shumicën e Kuvendit. Nga ana tjetër, Presidenti Thaçi nuk mund të ftojë asnjë kandidat tjetër, deri sa Kurti të mos votohet në Kuvend, ku lideri i VV-së nuk mund të shkojë pa patur një shumicë mbështetëse për të marrë fillimisht mandatin nga kreu i shtetit të tij. Një fije drite për zgjidhjen e impasit të pritshëm politik- institucional, mund të vijë nëse paralelisht krijohet me marrëveshje, një mazhorancë e re me mbi 61 deputetë, liderit të të cilës Thaçi mund ti japë të drejtën e krijimit të qeverisë. Fillimisht do të ishte jo shumë e moralshme, por më parë duhet saktësuar se sa kohë duhet të presë Thaçi kandidatin Kurti për të kërkuar mandatin për krijimin e qeverisë së re, por duke garantuar shumicën në Kuvend. Në pamje të parë, duket si një skenar që e kemi parë në Kosovë, ndoshta edhe një skemë që është parapërgatitur menjëherë pas zgjedhjeve të parakohëshme në Kosovë.
Zgjidhja e vetme në këtë rast, mund të vijë nga një interpretim i mundshëm i neneve të mësipërme të Kushtetutës nga Gjykata Kushtetuese. Sepse ashtu si në Shqipëri, edhe në Kosovë, nene të ndryshme të Kushtetutës nuk kanë një harmoni logjike për të njëjtën çeshtje, në këtë rast krijimi i qeverisë së vendit. /Nga Blerti DELIJA/