Ka ende shumë rrugë për të dalë nga tuneli i një historie të rëndë mizorish të përgjakshme, siç është historia e Ballkanit, ku vitet e fundit janë hedhur sidoqoftë drejt rrugëdaljes hapa që deri përpara këtyre viteve nuk i imagjinonin as më optimistët.
Edhe ky shkrim i Aleksandër Vuçiçit, Presidentit të sapozgjedhur të Serbisë, nuk mund të imagjinohej pak vjet më parë, paçka se siç i thonē, djalli fshihet nē detaje dhe nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë… Dhe Kosova mbetet mu siç e thotë edhe Presidenti serb, nyja gordiane, prerja ose jo e së cilës, përmes njohjes ose jo si shtet nga Serbia po shtoj unë, është edhe zgjedhja e qartë mes territ të tunelit dhe dritës së daljes prej tij!
Por padyshim, kjo është një zgjedhje që e sjell përpjekja e mundimshme dhe reciproke për ta kuptuar deri në fund njëri-tjetrin, përmes një dialogu të palodhur paçka se fort të dhimbshëm, në emër të dashurisë e të përgjegjësisë për kalamajtë e dy popujve.
Gjithësesi, shijen e mirë që më la ky meditim publik i Presidentit të Serbisë, dëshiroj ta ndaj me ju:
Nga Alexander Vucic
“Përse u lutem serbëve dhe qytetarëve të tjerë të Serbisë për të biseduar për Kosovën e Metohinë? Përse i gjykoj vendimtare për të ardhmen e vendit dhe të popullit tonë? Përse vallë ta hapim këtë temë kur jemi mësuar ta kyçim gojën dhe të jemi kundër, kundër gjithçkaje e gjithkujt, duke qenë se çfarëdolloj zgjidhjeje të marrë problemi ka për të qenë një thyerje e brokës kosovare në kokën e kujtdo politikani që do të guxojë ta ndërmarrë atë hap, ndërkohë që, nga ana tjetër, të gjithë shtiren sikur dinë për punën e Kosovës më shumë nga ç’dinë në të vërtetë, sikur e kanë pëllëmbë të dorës zgjidhjen e problemit, por ja që që s’i pyet njeri.
Ndaj dhe është e rëndësishme, madje sot më shumë se kurrë, që të shihemi në pasqyrë me kurajo e të këqyrim qartë gjithë blanat, plagët e mangësitë në fytyrën tonë, si dhe të përpiqemi të shërojmë atë çka është e mundur, të mos heqim dorë prej dëshpërimit nga vetja për shkak të problemeve me të cilët përballemi.
Ka ardhur koha që ne si popull të mos veprojmë si struci që fsheh kokën nën rërë, por të përpiqemi të jemi të vërtetë; të mos i lejojmë vetes të humbasim ose t’i japim dikujt atë që është e jona, por, gjithashtu, të mos presim se do të na bjerë në dorë ajo çka kemi humbur prej kohësh. Kur e pyetën Shimon Perezin, njeriun me të cilin kam pasur nderin të bisedoj sa e sa herë, se për ç’arsye ngulte këmbë kaq fort për bisedime me palestinezët, ai tha: “Ngase ka për të hapur skela paqeje në krejt Mesdheun. Si dhe ngase është detyra e liderit të dijë të peshojë ato lloj lirish, asish që ofrojnë paqe, t’i peshojë pa u ndalur edhe atëherë kur përballet me armiqësira, dyshime e zhgënjime. Mjafton vetëm të mendoni se çfarë do të ndodhte sikur të mos funksiononte kjo gjë”. Sot kur lind nevoja t’i përgjigjem pyetjes për nevojën e një dialogu me Prishtinën si dhe një dialogu të brendshëm, mes serbëve për Kosovën, fjalia e fundit e citatit të mësipërm përmban thelbin e gjithë kësaj historie: “Mjafton vetëm të mendoni se çfarë do të ndodhte sikur të mos funksiononte kjo gjë”. Sikur të gjithë ta kyçnim gojën. Sikur të hiqnim dorë nga dialogu. Unë, pas kaq vitesh që merrem me politikë në këto hapësira, e di përgjigjen. Qysh nga viti 1878, prej krijimit të së ashtuquajturës Lidhje të Prizrenit, ne serbët nuk kemi dashur të tregohemi aq sa ç’duhet të përgjegjshëm që të kuptojmë si fuqinë ashtu dhe dëshirat e shqiptarëve, por dhe gabimet e mëdha të shqiptarëve, ndaj e gjykoj të pafalshëm moskuptimin e interesave shtetërore e kombëtare serbe, si dhe nënvleftësimin e tyre, ose ç’është më e keqja, përpjekjen për t’i futur ato nën qilim, duke qenë se ndokush mendon se kjo gjë është e mundur falë përkrahjes së fuqive të mëdha.
Pavarësisht faktit se në realizimin e idesë së tyre kombëtare shqiptarët kanë pasur mbështetje të konsiderueshme prej pjesës më të madhe të vendeve Perëndimore, Serbia nuk duhet nënvleftësuar. Serbia e sotme nuk është e gërbulosur siç ka qenë dikur, Serbia nuk është e dobët si në vitin 1999, 2004 dhe 2008, por Serbia nuk është dhe as duhet të jetë arrogante dhe e papërgjegjshme, siç ka qenë jo rrallëherë.
Të heshtësh do të thotë që neve nuk na interesojnë më përgjigjet, për kurrëfarëgjëje. Të heshtësh do të thotë se nuk kemi më çfarë të kërkojmë. Se kemi hequr dorë së shpresuari. Se jemi të gatshëm për opcionin e fundit. Për konflikt. Brendapërbrenda nesh dhe me ata rreth e qark nesh. Heshtja është tipar i atyre që mendojnë se vetëm ata kanë të drejtë. Atyre që nuk duan të dëgjojnë kurrëkënd. Atyre që iu është mbushur mendja se janë më të mençurit, që s’kanë se çfarë të mësojnë më, që janë superior në raport me gjithë të tjerët dhe nuk kanë se çfarë të bisedojnë me askënd. Kjo është modus operandi e tiranisë, përherë e gatshme të derdhë gjak të huaj. Në fund të fundit heshtja është fundi. Pas saj askush nuk thotë asgjë dhe i vetmi zë është një piskamë e gjatë dhe e pabarabartë. Nuk mund ta shoh veten duke heshtur, as Serbinë në atë pozicion. Në qoftë se ndodh kjo gjë ka për të qenë e humbur jo vetëm politika që bëj, por krejt jeta ime dhe jetët e të gjithëve ne. Dhe kjo është diçka me të cilën s’kam për t’u pajtuar kurrë, pa ua vënë veshin atyre që mendojnë se jam shumë i zhurmshëm, se ngre shumë pyetje, se flas më shumë nga ç’duhet. Po mendoni se si do të ishte sikur të veproja ndryshe? Sikur të isha ndonjë prej atyre që heshtin dhe i fusin njerëzit në konflikt, në luftë? Sikur përmes heshtjes ta kishin mësuar disi gjeografinë e vendit të tyre? Ose sikur të isha ndonjë prej atyre që për një të rrahur të shpatullave dhe tabloidëve të sheqerosur që përfiton prej ndonjërës nga ambasadat perëndimore të pranoja e të dorëzoja gjithë vatrat serbe dhe, në këtë mënyrë, të bëhesha, si i thonë një fjale, reformator i madh.
Pikërisht për këtë gjë zgjidhja nuk gjendet nga njëra anë te mitet dhe konfliktet, por, nga ana tjetër, nuk gjendet as te mohimi dhe te heqja dorë e interesave kombëtare e shtetërore. Cinizmi i fjalëve të Ambrose Bierce-t se lufta është një mënyrë që njerëzit të mësojnë gjeografinë, është tipar thelbësor i atyre që janë kundër bisedimeve dhe dialogut. Këta, ashtu si ata të tjerët që heqin dorë nga gjithçka, nuk e dinë se ku bie Kosova, nuk kanë qenë kurrë atje, nuk kanë ndër mend të shkojnë ndonjëherë, e aq më pak të jetojnë atje, nuk janë në gjendje të dallojnë Parteshin nga Pasjani, Sërbicën nga Shtërpca, Pejën nga stufa, por me gjithë qejf kishin për t’i nisur të tjerët në Kosovë që t’u mësojnë gjeografinë e përgjakur të vendit të tyre ose të heqin dorë nga diçka që as ata vetë nuk e dinë se çfarë është. Nga ana tjetër, kundërshtarët e dialogut për Kosovën, me Prishtinën janë ata që për çdo humbje-fitore ose për fatkeqësinë e tjetrit gëzohen sikur të jetë suksesi i tyre, duke qenë se nuk njohin sukses tjetër. Arsyetimi i tyre për këtë lloj mosveprimi, çka është në mënyrën e vet krim historik, duke pasur parasysh peshën e pyetjeve që kërkojnë përgjigje, bazohet në shpresën e kotë se dikush, dikur në fund ka për t’u “dhënë Kosovën” dhe për këtë gjë, për kënaqësinë e tyre, do të mbajnë pasojat. Këtë edhe mund ta kuptoj nga këndvështrimi i politikës së përciptë të ditës, ndërsa nga këndvështrimi historik kjo gjë nuk ka as justifikim, as logjikë. Duke qenë se kjo është pyetja më e vështirë që shtrohet para nesh, në bazë të pikërisht kësaj – që është jona, pikërisht për këtë gjë është e domosdoshme si asnjëherë tjetër më parë që të gjithë bashkë të gjejmë një përgjigje. Një përgjigje që do të jetë e qëndrueshme, që e përjashton konfliktin si opcion dhe që do të na shërbejë të të gjithë neve që jetojmë në këto vise.
Si president i Republikës do të dëshiroja të përpiqeshim t’i zgjidhnim konfliktet tona njëherë e mirë, sikur të qe e mundur, në mos atëherë asgjë. Kjo kishte për të qenë një prej atyre mosrealizimeve tona të shumta, të përbashkëta, për serbët e shqiptarët. Gjetja e zgjidhjes kërkon kokë të nxehur nga vramendjet e vazhdueshme, gjak të ftohtë dhe zemër të pangarkuar prej emocioneve të tepërta dhe duar të njollosura prej kompromiseve. Si nga ana jonë, ashtu edhe nga shqiptarët.
Po kështu, sërish sipas recetës së Shimon Peresit, kjo gjë kërkon që ne, të cilëve historia s’na ka falur asgjë tjetër, përveç gjakut të derdhur dhe luftrave, më në fund të shtijem në punë resursin tonë më të madh, mendjen dhe, kësisoj, ta gjejmë zgjidhjen. Kërkon punën e mundin e të gjithëve, me ndërgjegje të pastër se kjo që po bëjmë është një proces i gjatë, i ndërlikuar dhe shpesh i dhimbshëm, por që më parë lyp asi lloj ndryshimesh në ndërgjegjen tonë të përbashkët kolektive, e cila, shpesh, çdo marrëveshje e përjeton si humbje. Thjesht e shkoqur, kjo nuk është e saktë. Nuk ka asgjë të madhe që e kemi fituar me luftë dhe e kemi humbur në paqe. Duke qenë se gjithçka që kemi fituar e humbur me luftë e kemi paguar me çmimin më të lartë që mund të bëhet, me një çmim që s’e kompenson dot me asgjë. Me jetët tona, me jetët e fëmijëve tanë. Ndaj kjo gjë duhet të marrë fund. Koha ka ardhur që Serbia të punojë, të mendojë, të fitojë, të përfitojë pa hyrë në konflikt. Unë jam i bindur që jemi në gjendje, qysh sot, ta realizojmë këtë gjë. Me fjalë të tjera, mendoni se çfarë mund të realizojmë. Dhe për këtë gjë, nuk duhet të heshtni.
Të gjitha rrugët e bashkëpunimit politik dhe të përparimit ekonomik do të hapeshin për Serbinë. Po kështu edhe dyert e Bashkimit Europian. Në të kundërt do të mbetemi te konflikti, sensi i të cilit nuk ka më kuptim dhe do të vazhdojmë të luftojmë ashtu si më parë, si njëra palë edhe pala tjetër, pa dallim. Pasojat? Kush e çan kryet për pasojat, me to do të merret dikush tjetër në të ardhmen.
Në fund si për heronjtë e luftrave të para, ashtu edhe për dorëlëshuarit e zemërgjerët që iu kanë dhënë me bujari të tjerëve atë që iu përket serbëve, gjykoj se Serbia ka nevojë për një qasje serioze e të përgjegjshme, kurajoze e reale, me sytë nga e ardhmja dhe jo duke u reshtuar e mbetur në fund sipas zgjedhjeve të radhës. Serbia ka kurajo të jetojë e të luftojë për të ardhmen. Serbia sot është një vend me peshë kudo në botë, para tre vjetësh Serbia ishte në prag të falimentimit, ndërsa sot buxheti i saj është me suficit, rritja ekonomike më e lartë se mesatarja e Europës, ndaj Serbia ka treguar se di të fitojë. Jo vetëm në basketboll e në vaterpol, por edhe në ekonomi e në politikë.
Në mënyrë që përparimi ynë të jetë i vazhdueshëm e i qëndrueshëm do të duhej, në mos tjetër, të përpiqemi të paktën të zgjidhim nyjen (gordiane) të Kosovës dhe jo të fshihemu e barrën më të madhe t’ua lëmë fëmijëve tanë. Të jetosh do të thotë të duash vendin ku çapiten fëmijët dhe jo vetëm të lëvdohesh me fitoret e gjyshërve.”