Nga Besi BEKTESHI
Kombet dhe popujt e mëdhenj, të fortë, me vullnet, në përpjekje të vazhdueshme me jetën për ti marrë të gjitha të mirat kohës, këndojnë në kor! Si në kor? Pikërisht në kor pra, të intonuar në të njëjtën rradhë dhe të gjithë përnjëherë! Në një mrekulli bashkimi të madhe zërash, të cilat përbëjnë atë bukuri dhe kolektivitet të jashtëzakonshëm zëri të përbashkët në këngë! Fuqia e madhe e këtij bashkimi, dëgjohet larg, bukur dhe për më tepër, nuk ja prishin dot harmoninë as zëra të përveçëm aty këtu që mund të dëgjohet – diku veçmas ose në të kundërt të pikërisht këtij kori! Ky është kori dhe popujt e mëdhenj, të edukuar dhe të vendosur në disiplinë artistike dhe padyshim kulturore, e praktikojnë! Se mos kuptohet se “kori” është çelësi i suksesit për t’u bërë një kombi madh! Padyshim që jo, por në fakt, të gjithë kombet e mëdha kanë korin dhe modelin e tij sigurisht të suksesshëm. I keni vënë re amerikanët që fillojnë i edukojnë në kor njerëzit që në vegjëli, po ashtu britanikët dhe gjermanët, italianët, francezët, por dhe rusët pa dyshim, kinezët pa asnjë fjalë kanë kore të jashtëzakonshme e shumë e shumë të tjerë! Ne kemi pasur (koha e Zogut dhe Diktatura) cilësinë të mësonim që të vegjël fëmijët të këndonin në kor! Po po, kishim aftësinë që të bashkonim zërat, të intonoheshim dhe të këndonim bashkë! Në diktaturë, procesi i kolektivizimit ishte një nga marrëzitë ekonomike dhe filozofike, sepse u bë nën presion ideologjik absurd, por mënyra për ti mësuar njerëzit të bënin ushtrime të përbashkëta brenda kohës dhe ritmit dhe në të njëjtën formë e mënyrë, të këndonin bashkë pa dalë askush sipër askush lart në nota – është forma për të formuar grupin e madh të fortë dhe në kompaktësinë që i duhet për të përballur sfidat! Të gjithë ato shtete të cilët përmenda më lart e jo vetëm ato, por dhe shumë më të vegjël, kanë sigurisht korin e mirë, por dhe ushtrinë, parakalimin dhe rregullsinë e disiplinën e saj! Janë shtete “belixherante” ose shtete që kanë ushtri të forta dhe të mëdha, rregull ushtarak në mbrojtje të vendit dhe kombit të tyre! Se mos për ndonjë e kam gabim – së paku konstatimin e tillë! Kur them “korin” e kam fjalën te aftësia për të qenë të bashkuar, në të njëjtin ritëm, të njëjtën këngë, të njëjtin hap, të njëjtën frymëmarrje, të njëjtën ide dhe marrshim! Nuk di a jam i qartë, por kur themi popull apo komb, kemi të bëjmë me forcën e grupit, madhësinë e tij dhe përgjegjësinë për idealet e përbashkëta të këtij grupi!
Çfarë na kanë mësuar dhe bërë këto 27 vite medemek – demokraci në Shqipëri!
Asgjë më tepër, se sa na kanë prishur aftësinë për të vepruar në grup, në kohë të gjithë bashkë, të bashkohemi në një zë për idealet kombëtare (integrimi europian dhe mirëqenia) si modele për të gjithë të bashkuar dhe me të njëjtin zë! Kryeideatori i shkatërrimit të “korit” dhe ecjes së përbashkët drejt një identiteti dhe pikësynimi apo finishi – është Sali Ram Berisha! Ai është njeriu i ardhur jo vetëm nga ruralizmi folklorik, por dhe nga komunisti i indoktrinuar i cili ishte zëmëruar nga njerëzit e dashur të tij në byronë politike, sepse pikërisht e trajtonin në fund të fundit si një folklorik origjinar! Ky njeri arriti që një popull katastrofikisht i ideologjizuar në kolektivizëm si koperativë dhe ndërmarrje normash dhe turni të tretë – ta drejtojë ashpërsisht ndaj individit solist kundër, plotësisht kundër ligjeve dhe kulturës së përbashkët ! Sali Berisha është njeriu që me dashje, ka prishur dhe shkallmuar aftësinë e shqiptarëve për të qenë bashkë në ndjenjën kombëtare dhe bashkë në aftësinë për ti bërë ballë sfidave së të ardhmes në demokraci! Në aftësinë shkatërruese të tij në propagandimin e individit në demokraci, kundër kolektivit në socializëm – ai në të vërtetë donte anarkinë ekonomike dhe filozofike të shqiptarëve, anarkinë politike në thyerje të plotë të zbatimit të ligjit! Sidomos zbatimi i ligjit është një “këngë korale” e cila kështu duhet kënduar, kurse Berisha “premioi” të gjithë “solistët” në thyerje të ligjit, për të bërë të paguajnë “koristët” e shkretë, që ishin dhe më të varfërit! Po kështu dhe në të gjithë parimet e demokracisë, e cila kërkon veprimin në grup sikundër janë interesat e mëdha kombëtare ekonomike dhe politike, strategjitë e tilla dhe sidomos morali politik demokratik!
Me anën e parimeve demek të “djathta” të Berishës dhe “dumbabave apo dumbabeve” u trumbetua “njeriu i lirë” dhe i përveçëm, në suksesin ekonomik që mund të bënte si të donte dhe çfarë të donte e ku të donte! Kështu ky “njeri i lirë” që i ngjante për nga marrëzia politike “njeriu të ri të partisë” nuk la kioskë pa ngritur në tokë të huaj, pushtoi terrene prone private dhe shtetërore, prishi ndërmarrjet si dhe pronën shtetërore dhe private, ndërtoi pa leje, punoi pa leje dhe pa paguar asnjë taksë, nuk pagoi jo vetëm taksa, por dhe ujë e energji si individ – i fortë sikundër i kishte shpjeguar filozofi Berisha dhe pas tij të gjithë filozofët dhe filozofet meshkuj dhe femra në partinë e tij, e rreth rrotullakët e saj! Shkatërruan aftësinë e shqiptarit për të qenë bashkë, për të qëndruar bashkë, punuar bashkë dhe ngritur ekonomi private bashkë, për të mësuar bashkë dhe investuar bashkë! Po dhe për më tepër, për të qenë bashkë politikisht kur e kërkon interesi i vendit dhe zhvillimi i tij?!
Dakord, por po vazhduan kështu do të fitojë – ai, ose SB-ja që tashmë ka mbaruar orët e sulmit dhe mbron vetëm familjen dhe të vetët rreth saj! Kurse ne na duhet të bashkohemi në ato ide dhe probleme që në fakt kërkojnë të jemi bashkë! Ka arsye që dikush-dikush nuk e do këtë bashkim tonin. Ka strategji të vjetra dhe të reja, që nuk duan që shqiptarët të këndojnë mirë në kor! Nuk duan kurrsesi që të kenë një bashkim të tillë njerëzor dhe popullor e sidomos politik. Ju vjen shumë rëndë kjo gjë! Nuk është temë e madhe konspiracioni kjo, por një e vërtetë që ka shumë kohë që është kështu! Ka ekzistuar dhe ajo që njerëz të veçantë kur kanë qenë në majë të qeverisjes, kanë bërë pikërisht përçarësit e tillë të “këngës në kor”! Sigurisht do të vazhdojnë, por është seriozisht fundi i një marrëzie të tillë! Për të gjithë them – djathtas dhe majtas qofshin!
Sepse një popull – komb që nuk këndon në kor – nuk e dëgjon askush!
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!