Bardh Smaja sot ka ditëlindjen. Nëse do të ishte mes nesh, aktori, regjisori por edhe instrumentisti shkodran, do të festonte 65 vjetorin mes miqsh të shumtë, të cilët nuk i munguan asnjëherë, as në momentet më të vështira të jetës.
Në këtë ditë, Smaja mungon fizikisht. Por janë të shumtë ata që e kujtojnë, jo vetëm për profesionalizmin e talentin, por edhe humorin e tij. Merita, bashkëshortja e tij por edhe kolege në art, e ka kujtuar sapo akrepat kanë kapërcyer në datën 2 shtator 2021.
Janë fjalë zemre për njeriun më të shtrenjtë, por mbartin edhe një premtim, duke treguar sa e fortë ka qenë lidhja në mes bashkëshortëve Merita dhe Bardh Smaja. Aktorja e njohur Merita Smaja, në një publikim në Facebook, shkruan:
“Gjithmone ne kete dite une kam dasht me ta uru datelindjen ..me te puth e perqafu….e sonte cfare mundem me thane ..Gezuar? jo…se nuk mundem ..U bafsh 100 ..si ? Paç shendet e jete te gjate..asgja nuk mundem me t’thane … Po , dicka mumdem me thane …me prit ,se se shpejti do jemi bashke pergjithmone, siç deshironim te ishim !”.
Bardh Smaja u nda nga jeta shumë para kohe, para 6 viteve. Ai nuk fitoi dot betejën me një sëmundje të rëndë me të cilën u përball. Largimi i tij ishte një humbje e madhe për artin e kulturën, sidomos për Teatrin “Migjeni”.