Klubi Vllaznia në kuadrin e ndryshimeve që tashmë ka filluar të aplikojë, ka risjellë në vëmendjen e të gjithë tifozëve shkodranë edhe abonetë sezonale. Thënë ndryshe, kartën me të cilën tifozët e blejnë një herë dhe me të mund të ndjekin të gjitha ndeshjet që skuadra e tyre e zemrës do të luajë në Shkodër.
Në vendet e ndryshme të Botës, kjo është një praktikë shumë e njohur, por në Shqipëri aplikohet shumë pak. Megjithatë drejtuesit kuqeblu kanë vendosur ta aplikojnë sërish dhe nga sot ka nisur edhe shitja e tyre. Sipas njoftimit të shpërndarë për mediat, çmimet e aboneve janë llogaritur për 20 ndeshje të sezonit dhe kanë çmime të ndryshme sipas tribunave të stadiumit.
Por ky veprim i klubit Vllaznia ka ndarë tifozët kuqeblu në dy palë. Në njërën janë një pjesë e mirë e tyre që i konsiderojnë çmimet e vendosura si të shtrenjta për ekonominë që kanë sot familjet shkodrane, ndërsa në krahun tjetër bëjnë pjesë ato tifozë që mendojnë se për Vllazninë duhet sakrifikuar paksa edhe nga ana financiare.
Komentet dhe reagimet kanë qenë të shumta dhe mbase dikush ka pritur edhe reagimin e drejtuesve për këtë çështje. Por kjo gjë nuk ka ndodhur, madje klubi shkodran ka bërë të ditur se ka filluar shitja e aboneve edhe në kryeqytet nisur nga interesimi që kanë shfaqur shkodranët që jetojnë e punojnë në Tiranë.
Në këtë mënyrë, ditët e para të punës si president i Vllaznisë për Alban Xhaferin po shoqërohen me jo pak debate, megjithatë ai në çdo dalje publike e ka bërë të qartë se do të fusë ide të reja në klub, për ta kthyer atë në një biznes të mirëfilltë dhe në këtë aspekt, nëse tifozët duan të shohin një skuadër të bukur në fushën e lojës, padyshim që edhe duhet të kontribuojnë me pagesën e biletës.
E rëndësishme mbi të gjitha është që ekipi të ecë përpara dhe të bëhet gati për startin e kampionatit. Një fitore në javën e parë ndaj Laçit do të mbyllte shumë gjëra dhe do t’i hapte rrugë ecurisë së mirë të Vllaznisë. /ShkodraSport/