“Zëdhënësi i Dosjes së Dibrës, i mirëpritur në Presidencë”, vjen përgjigja edhe për Ulsi Manjën nga “Blushi i Metës”

Pas një mesazhi “të koduar” nga ana e kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi, teksa e konsideron si zëdhënës të dosjes së Dibrës, e fton atë të marrë pjesë nesër në konferencën për shtyp në Presidencë. Zëdhënësi i kreut të shtetit, thotë se Manja deri më 2 mars do të bashkohet edhe ai me popullin kundër grushtit të shtetit.


Reagimi i plotë: “Ftohet zëdhënësi i Dosjes së Dibrës të marrë pjesë nesër në konferencën e radhës për shtyp në Presidencë, e madje të bëjë pyetje dhe debat para gazetarëve, jo vetëm si kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe lider i reformën në drejtësi, por dhe si filozof i paparë që u shfaq sot.

Me qetësi dhe drejtësi!

Deri në 2 mars jemi të bindur se do bashkohesh me mbarë popullin kundër grushtit të shtetit. Se faktet e reja tronditëse do bëjnë të harrohet dhe Dosja 184.

Presidenti të pret nesër në Presidencë, t’i dëgjojë këshillat e tua nga afër. Ai do të trajtojë me më shumë përulësi, se sa e trajtove ti në Komisionin Parlamentar. Të presim!”.

Reagimi erdhi ndërsa më herët, Ulsi Manja, kryetar i komisionit të Ligjeve, shkruan se Presidenti po e bën vendin gazin e botës. “Zoti President mos e dëgjo Ilir Metën dhe ti zoti Ilir mos e çmend Presidentin! Gjeni gjuhën e bashkëpunimit sa më parë se mirë u bëtë gazi i botës, po po e bëni edhe Shqipërinë gazin e botës! Ju lutem, takohuni dhe ulni gjakrat, mos u kacafytni brenda të njëjtës kokë. Duhet qetësi!”, shkruan ai.