Presidenca i është përgjigjur menjëherë ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili e cilësonte thirrjen e Presidentit Ilir Meta për tubim më 2 mars si një “çrregullim i skajshëm i tij”, ndërsa theksonte se ka ardhur koha për të kornizuar me ligj funksionet e Presidentit. Lidhur me këtë, ka ardhur reagimi i zëdhënësit të Presidentit, Tedi Blushi, i cili i kërkon ministrit Lleshaj të qetësohet, pasi sipas tij, rendin më 2 mars e garanton Presidenti bashkë me popullin.
“Asnjë sekondë për të humbur me “Gjeneralin” nën poture. Si mund të bëjë moral për Kushtetutën një gënjeshtar që donte të hynte në shkelje të Kushtetutës me kamuflazh në zyrën e ministrit? Qetësohu “Gjenerali” nën poture: Rendin në 2 mars e garanton Presidenti bashkë me popullin!”, shkruan Blushi.
Më herët, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj tha përmes një shënimi në rrjetet sociale, se duhet një kornizim me ligj të funksionimit të Presidentit pasi ky i fundit paralajmëroi tubim qytetar më 2 mars. Ai shtoi se Policia shqiptare do të hyjë në histori si e para në planet që do të garantojë tubimin e parë antiqeveritar nga kreu i shtetit. Po ashtu ai tha se Meta me këtë vendim ka një çrregullim të skajshëm dhe se e ka kthyer Presidentin në absurditet folklorik.
”Koha për të kornizuar me ligj funksionimin e institucionit të Presidentit! Prej 20 vjetësh diskutohet dhe harrohet. Por siç po duket deri në dhimbje tanimë, ideja se kreu i shtetit është individ i vetërregullueshëm, ka vdekur! Republika Parlamentare nuk diskutohet, respektohet.
Fakti që Policia e Shtetit duhet të hyjë në historinë e planetit si e para polici në botë që garanton tubimin antiqeveritar të kreut të shtetit, flet më shumë se një miliardë fjalë për çrregullimin e skajshëm të zotërisë që e ka kthyer Presidentin në një absurditet folklorik.”- tha Lleshaj.