Nga Shkodra vjen nje lajm interesant teksa mësohet se trajneri Thomas Brdariç është gjobitur nga drejtuesit për performancën e dobët të skuadrës në 9 ndeshjet e fundit. Në një dokument të dalë nga klubi shkodran, që mban vulën dhe firmën e kryebashkiakes Voltana Ademi, shihet vendimi për të gjobitur me 1.5 milionë lekë (të vjetër) trajnerin kroat.
Kjo masë është marrë pas humbjes 2-1 kundër Bylisit, rezultat që shkaktoi tërmet në kampin kuqeblu. Ndër të tjera në njoftimin e bërë me e-mail për trajnerin Brdariç thuhej:
“Rezultatet e dobëta të skuadrës në ndeshjet e fundit si trajner dhe mungesa e disiplinës të ngarkojnë me përgjegjësi duke rrezikuar objektivat e klubit. Prandaj kërkohet që ju jo vetëm të rrisni nivelin e vendim-marrjes gjatë procesit dhe lojës, por edhe të motivoni lojtarët për rezultate pozitive”.
Padyshim që një vendim i tillë do të trazojë edhe më shumë ujërat në klubin e Vllaznisë. Trajneri kroat i cili formatoi nga e para një ekip duke krijuar iluzionin e një mini-Barçe, tashmë do të duhet të paguajë edhe gjobën e vendosur nga drejtuesit, pikërisht në një ditë kur skuadra e tij u kualifikua në gjysmëfinale të Kupës.
Shkodranët mposhtën dje Korabin minimalisht 1-0 me gol të Arsid Krujës. Dhe pas ndeshjes, Brdariç është njohur me masën e marrë nga drejtuesit shkodranë.