Vllaznia e “erës” Plori nuk di të fitojë, Partizani e ndal në barazim në “Loro Boriçi”…

Është mbyllur me barazim pa gola ndeshja mes Vllanzisë dhe Partizanit, ndërsa ishin “të kuqtë” ata që diktuan ritmin e kësaj përballjeje.

Pjesa e parë foli më shumë për skuadrën e Partizanit, që mundën të godisnin portën e kundërshtarit që në minutën e 8’ me Skukën, por më pas u sinjalizua për pozicion jashtë lojë. Më pas nga të dyja skuadrat do të kërkohej rruga drejt rrjetës, por pa sukses, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej me barazim pa gola.


Edhe në fraksionin e dytë “të kuqtë” e kryeqytetit do të diktonin ritmin e lojës dhe do të kërkonin në disa raste të gjenin golin, por fati nuk ishte me ta. Nga shkodranët kërkuan të përgjigjeshin, por ishin të pakta rastet kur Alban Hoxha u gjend në situatë të vështirë.

Pas raundit të 30-të Partizani vijon të jetë në vend të katërt me 43 pikë, dy më pak se Kukësi i vendit të tretë, por me “verilindorët” që kanë një ndeshje më pak dhe që do e luajnë sot në orën 20:00, në përballjen ndaj Laçit. Teksa Vllaznia mban vendin e pestë me një pikë më pak se kryeqytetasit.