Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Shkodër, në kuadër të masave kundër informalitetit, me qëllim verifikimin e zbatimit të procedurave ligjore për administrimin e produkteve industriale që hidhen ne treg, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Acidet”.
Si rezultat i këtij operacioni u procedua penalisht shtetasi Besnik Kopshti, 54 vjeç, banues në lagjen Guerile, Shkodër.
Gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin e këtij shtetasi, në Dobraç, me fushë aktiviteti prodhim, ambalazhim dhe tregtim detergjentësh, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, produkte të ndryshme industriale për të cilat 54-vjeçari nuk dispononte certifikatën përkatëse të regjistrimit të markës.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi Besnik Kopshti i prodhonte dhe i tregtonte këto produkte, në mënyrë të kundërligjshme, duke sjellë më pas dëme në shëndetin e përdoruesve të tyre.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë”.