Shoqata Shkodra Sport dhe Bashkia e Shkodrës kanë përmbyllur me sukses edhe Triathlon Labeat. Eventi i lindur 10 vite më parë, vetëm është konsoliduar me kalimin e kohës, duke tërheqër përherë e më shumë interesin e pjesëmarrësve por edhe amatorëve të sportit.
Në pikën turistike të Shirokës, aty ku zhvillohet kjo garë sportive, dita e Triathlon Labeat kthehet në një ditë feste për Shkodrën dhe të gjithë ata që marrin pjesë, garues ose jo. Kështu ishte edhe sot, në edicionin e 10- të jubilar.
Siç çdo vit, Bashkia e Shkodrës e ka mbështetur nismën dhe vetë kryebashkiaku Bardh Spahia ka shprehur kënaqësinë për ecurinë e Triathlon Labeat, duke garantuar mbështetjen e përvitshme. Jo vetëm kaq, në përgjigje të gazetarëve Spahia ka thënë se ndërtimi i një pishine të mbyllur për sportin e notit, vijon të mbetet prioritet i Bashkisë Shkodër.
Triathlon Labeat është një garë trefishe sportive me vrapim, not dhe çiklizëm. Pjesëmarrësit, të moshave e gjinive të ndryshme, duhet të marrin pjesë në të tre garat, në fund të të cilave shpallen edhe fituesit.
Eventi i fitur në traditën e Shkodrës tashmë, ka mbështetjen e shumë faktorëve të rëndësishëm që garantojnë suksesin e tij. Natyrisht, merita kryesore është e ideatorit dhe organizatorit të përvitshëm Kliti Hoti, sigurisht edhe mbështetjes në vite të Bashkisë Shkodër.
Triathlon Labeat është një mundësi shumë e mirë për promovimin e turizmit por edhe resurseve të shumta jo vetëm të Shirokës e Zogajve por edhe Shkodrës si bashki dhe rajon.
Pjesmarrja në gara edhe e konkurrentëve përtej Shkodrës, nga viset ku jetojnë shqiptarët por edhe të huaj, janë një vlerë e shtuar për eventin, i cili në ditët e para të shtatorit, ndonjëherë në fund të gushtit, krijon atmosferën e festës si sot në Shirokë.