VIDEO – U plagos një natë më parë në Dobraç, dërgohet në Tiranë 60 vjeçari, dyshohet për atentatorë me pagesë

Dedë Pllanaj, i cili mbeti i plagosur mbrëmjen e djeshme (e shtunë, 30 prill) në një pikë karburanti në Shkodër, është transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim të specializuar.

Panorama.al mëson se ndaj 60-vjeçarit është qëlluar 8 herë, teksa 6 plumba e kanë kapur në pjesë të ndryshme të trupit. Dedë Pllanaj ka marrë 3 plumba në krahë, një plumb në brinjë, një në pjesën e legenit dhe një në këmbë.


Si çdo natë, Dedë Pllanaj ndodhej në punë pranë pikës së karburantit në aksin rrugor Shkodër-Koplik pranë rrethrrotullimit të Dobraçit. Sipas informacioneve, një person me motor i është afruar dhe ka qëlluar 8 herë me pistoletë në drejtim të Pllanajt duke e lënë të plagosur.

Autori më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarje. Bëhet me dije se ai është larguar në drejtim të Koplikut.

Forcat e policisë kanë sekuestruar kamerat e sigurisë të karburantit ku ndodhi plagosja për të parë dinamikën e ngjarjes dhe po ashtu janë duke marrë edhe kamerat e sigurisë të aksit Shkodër-Koplik edhe pse mbetet e vështirë për ta gjurmuar për shkak të errësirës dhe faktit se në gjithë ai aks nuk ka shumë kamera sigurie.

Policia ka dyshime se autori është vrasës me pagesë. Efektivët vijojnë punën për identifikimin, gjetjen dhe kapjen e autorit të dyshuar të plagosjes së Dedë Pllanajt.