![](https://www.shkodraweb.com/wp-content/uploads/2020/08/tano-banushi.jpg?x28643)
30 vjet më parë do të ndahej nga jeta Tano Banushi. Nuk ka nevojë për asnjë prezantim tjetër. As për ata që e kanë njohur e shijuar në skenë e ekran si bashkëkohës, por as ata që sot kanë mundësinë ta shijojnë artin e tij përmes video, fatmirësisht të ruajtura një pjesë e tyre.
Për brezat më të rinj, ata që sot janë të dhënë pas teknologjisë dhe humorit të çastit, mund të themi vetëm kaq: Kërkoni në Google ose Youtube, gjeni videot e tij në skena dhe vendoseni “notën” vetë. Duhet të kalojnë mbase edhe shumë e shumë dekada që një si Tano Banushi ti vijë humorit shqiptar!
Në këtë përvjetor të ikjes, Tano Banushin e ka kujtuar me një postim në Facebook edhe kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci, i cili shkruan:
“30 vjet më parë u nda fizikisht nga jeta e artdashësit e shumtë, Tano Banushi, një ikonë e humorit shqiptar. Arkiva e mbledhur me kujdes nga Astrit Fani në Teatri Migjeni, Shkoder na jep mundësinë të rigjejmë mes fotove galerinë e jashtëzakonshme të personazheve të realizuara prej tij. Teksa ende sot është e pamundur të mos qeshësh me batutat nga goja e këtij artisti, ajo që na mbetet detyrim e përgjegjësi është nderimi e krijimi i mundësive që figura si ajo e Tano Banushit, të mbeten në piedestal, si pjesë e jashtëzakonshme e kulturës së qytetit tonë!”, shkruan Beci.
Më poshtë, vetëm një video e mjeshtrit të madh të humorit shqiptar! Shijojeni! /ShkodraWeb Media/