
“Ndeshje derbi”, kështu shprehet trajneri i Vllaznisë Qatip Osmani para ndeshjes së rëndësishme me Partizanin në “Loro Boiriçi” për Superligën. Trajneri kuqeblu, e vlerëon si ndeshje jo vetëm për pikë por edhe për prestigj.
Osmani thotë se është ndeshje kundër ekipit kampion në fuqi, teksa shton se paraqitjet e fundit të Partizanit nuk mund të merren për bazë. Ai shton se ekipi duhet të jetë i qetë në këtë përballje.
Timonieri i Vllaznisë ka një mendim edhe për tifozët, të cilët në këtë ndeshje pritet të jenë të shumtë të mbështetje të Vllaznisë. Janë një motivim shtesë, thotë ai teksa premton se do të bëjmë çmos të mos dalin të dëshpëruar nga kjo ndeshje.
Skuadra është e gjitha në dispozicion të Osmanit, pa dëmtime apo penalizime. E vetmja dilemë që ai shpreh, lidhet me afrimet e reja. Në vijim, do të vendosim nëse do të jenë të dy në pankinë apo vetëm njëri, thotë për mediat Qatip Osmani.