Vllaznia është mundur nga Kukësi në “Elbasan Arena”. Është një humbje e çuditshme, teksa të gjithë lojën e kanë kontrolluar kuqeblutë, duke krijuar volum loje dhe duke humbur mjaft raste për shënim.
Goli i parë për verilindorët ka ardhur në minutën e 5- të. Një krosim pa shumë pretendime nga krahu i majtë i sulmit të Kukësit, Eze fiton dyluftimin ajror me Adilin, topi përplaset në shtyllën pingule dhe përfundon në portë.
Vllaznia e ka dominuar ndeshjen, ka zhvilluar volum loje, ka patur raste për shënim, madje ka goditur edhe shtyllën e kuksianëve por pa gjetur rrugën e rrjetës. Atëherë kur pritej goli i Vllaznisë, Kukësi ndëshkon sërish.
Eze pengohet në zonën e Vllaznisë dhe Kridens Meta nuk ka asnjë dyshim, akordon penallti. Gjuan saktë Taipi, Zogoviç në një krah, topi në krahun tjetër. Edhe pas golit të dytë Vllaznia avancon, zotëron topin, ka edhe raste, por goli nuk vjen. Megjithë dy minutat shtesë të akorduara nuk ndryshojnë rezultatin.
Pjesa e dytë ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për Vllazninë. Në minutën e 5- të, Kridens Meta akordon penallti për Vllazninë pasi pengohet në zonë Avdiaj. Nga pika e bardhë gjuan saktë Ardit Hoxhaj, duke shënuar dhe ngjallur shpresën për shkodranët.
Vllaznia sërish ka dominuar, ka patur disa raste për shënim, por nuk ka mundur të gjejë rrugën e rrjetës. Në minutat shtesë të akorduara nga arbitri, kuksianët gjejnë edhe golin e tretë. Autor i golit është Gavazaj, të cilit në fakt i dhurohet një pasim nga lojtarët e Vllaznisë.
Ky rezultat negativ duket se nxjerr Vllazninë nga gara për titull, ndërsa tashmë duhet luftuar që të mos rrezikohet pjesëmarrja në Kupat e Europës, edhe pse shpresa e fundit mbetet finalja e Kupës së Shqipërisë me Skenderbeun, nëse nga Superliga nuk arrihet ky qëllim.