Një pallat në Gaza, ku kishin zyrat Associated Press dhe Al Jazeera, u shemb këtë të shtunë pas bombardimit nga ushtria izraelite. Godina ishte evakuuar paraprakisht pasi pronari i saj u paralajmërua në telefon nga ushtria izraelite për sulmin, raporton ANSA.
Ushtria izraelite goditi pallatin, al-Jala në zemër të Gazës, e cili strehon zyrat e mediave, duke përfshirë atë të agjencisë amerikane Associated Press dhe Al Jazeera.
Sulmi ajror ndodhi rreth një orë pasi ushtria izraelite urdhëroi që ndërtesa të evakuohej. “Hamas ka transformuar zonat rezidenciale në Gaza në pozicione ushtarake. Përdor ndërtesat e larta në Gaza për qëllime ushtarake të natyrave të ndryshme si për mbledhje informacioni zbulimi, përgatitje sulmesh, operacione komandimi dhe kontrolli ose për komunikim. Të gjitha qiellgërvishtëset e shenjestruara nga Izraeli, shfrytëzoheshin për qëllime ushtarake”, tha një zëdhënës i ushtrisë izraelite.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se “siguria e mediave është përgjegjësi thelbësore”. Zëdhënësi i Brigadave Ezzedin al-Qassam, krahu ushtarak i Hamas, ka paralejmëruar se “reagimi ynë do të trondisë Izraelin, tani rrini e shikoni”.
Më pas ushtria izraelite konfirmoi sulmin dhe tha se godina ishte përdorur nga pjesëtarë të Hamas si magazinë për “asete ushtarake”, ndërsa personat që punonin dhe jetonin aty ishin kthyer në “mburoja njerëzore” për organizatën terroriste.