Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka shprehur keqardhje për deklaratat që ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca u detyrua të bëjë për aludimet se ka patur një lidhje intime me zv.ministren e Brendshme, Romina Kuko. Manjani në reagimin e tij ka thënë se veglat gjinekologjike janë private dhe se personat që e sulmojnë diplomatin e huaj po bëjnë një akt shantazhi. Por për ish-ministrin, ambasadori i BE duhet të kishte reaguar për lejimin e kanabizimit të vendit, refuzimin e statusit të vendit kandidat për tri herë radhazi dhe luftën ndaj korrupsionit.
“Ndjehem thellësisht i keqardhur që shefi i Delegacionit të BE në Tiranë, detyrohet të përgënjeshtrojë një thashetheme aludues për jetën e Tij private. Vijoj ti qëndroj mendimit që e kam shprehur dhe më parë se veglat gjinekologjike janë krejtësisht çështje private e çdo njeriu. Ky/kjo i/e fundit s’ka pse jep shpjegime askujt në publik se si i përdor ato.
Nga ana tjetër, ndyrsirllëku i sulmit publik me këto mjete më duket më shumë paburrni sesa shantazh. Burrnia e kërkon që Sorecën dhe takëmin e tij, përfshi dhe Organizatën Politike Europiane që ai Përfaqëson, t’ja thuash drejt në sy kritikën që ke. Soreca dhe organizata e cila e ka deleguar këtu, na kanë dëmtuar seriozisht dhe shumë rëndë dhe drejtpërdrejtë kur:
1.Lejuan kan.a.bizimin e ekonomisë e kr.i.minalizimin e shoqërisë. Vetëm një fjalë e tyre e ndalonte atë kr.i.m, por nuk e thanë.
2.Rekomanduan tre herë me radhë hapjen e negociatave, por raportet e tyre ishin aq të vërteta sa shtetet anëtare i hodhën në kosh. Gënjeshtra nuk është ndihmë.
3.Mbështeten dhe ende e bëjnë, më shumë sundimin e Bosit sesa të ligjit në këtë vend. E kam të pa mundur të mendoj sundim të ligjit, kur mbështetet Bosi të dhunojë Kushtetutën.
4.Kërkojnë luftë kundër korrupsionit, kur vetë dhanë modelin se si blihet një pronë pa tender e me çmim më të lartë se tregu. Shembull i keq ky sepse ju hoqi fytyrën për të folur për standard.
5.Ja për këto kërkohet një minimum burrnie për t’ja thënë Sorecës e cilitdo nga takëmi i tij. Ndershmërisht fare! Por jo të merremi me sajesa nga jeta private. Nuk na duhet hiç ajo! Është koha e burrave!”, shkruan Manjani ne Facebook.