“Unë nuk dua të them asgjë”, tashmë “çeshtje” tek Vllaznia, flet Diagne: E ardhmja ime? Pyesni drejtuesit e Vllaznisë

Fallou Diagne ka pak gjasa që ta shikojmë përsëri me fanellën e Vllaznisë. Lojtari senegelaz u afrua në merkaton e verës te shkodranët, por nga burime të “Shkodra Sport” mësohet se aventura e tij do të përfundojë këtu, me përjashtim vetëm nëse do ketë ndonjë prapakthim nga ana e tij.

Futbollisti nuk do të luajë ndaj Teutës këtë fundjavë dhe kjo tashmë është e sigurt. Ndërkohë në klub, thonë se lojtari është dëmtuar dhe nuk është i gatshëm, teksa edhe trajneri Plori në konferencën pas ndeshjes me Partizanin, tha që Diagne ka disa probleme dhe shtoi që shpreson që problemi i tij të zgjidhet.


Në fakt, mbrojtësi senegalez Diagne, jo vetëm që nuk ka qenë në fushën e lojës në takimin e kthimit ndaj Partizanit, por as në stolin e rezervave dhe as në tribunat e stadiumit “Loro Boriçi”. Kjo gjë u shoqërua me fjalët se ai është larguar nga Vllaznia.

Pikënisja e gjithçkaje ka ndodhur një ditë para ndeshjes, kur trajneri Plori në seancën e fundit ka provuar për disa minuta formacionin anti-Partizani, në të cilin senegalezi nuk ka qenë pjesë e tij. Kjo gjë nuk i ka pëlqyer Diagne, teksa i pakënaqur edhe nga problemet e pagave së fundmi, është larguar nga stërvitja, duke mos shkuar fare në grumbullim me skuadrën dhe duke nxjerrë pretekste të ndryshme.

“Shkodra Sport” kontaktoi me Fallou Diagne, teksa mbrojtësi senegalez shkurtimisht u shpreh se është më mirë të pyetet klubi, se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e tij.

“Eshtë më mirë të shkoni dhe të pyesni klubin e Vllaznisë. Çfarëdo që të ndodhë, nuk do të them asgjë për klubin, është mes meje dhe klubit.

Jeni larguar nga Vllaznia? Të thashë që, nuk do të them asgjë më tepër. Më vjen shumë keq, por preferoj të mos them asgjë. Nëse është një moment lumturie me këtë klub, për hir të kohës dhe rrespektit, që kam kaluar me ta, preferoj të mos them asgjë”, tha mbrojtësi senegalez, Fallou Diagne.

Në këtë situatë, duke parë se kanë mbetur edhe pak ndeshje, gjasat që lojtarin ta shikojmë përsëri këtë sezon me Vllazninë, janë të pakta. Me shumë mundësi, aventura e tij me Vllazninë është mbyllur dhe Fallou Diagne është drejt një largimi të parakohshëm.